Shqipëria

Nano vizitë zyrtare në Holandë, takim me kreun e Europol: Nga siguria te goditja e krimit në fokus


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një vizitë zyrtare në Holandë ka zhvilluar një takim me drejtoreshën ekzekutive të Europol, Catherine De Bolle.

Në fokus të takimit mes tyre ka qenë marrëdhënia dhe kontributi që Policia shqiptare jep “jo vetëm në sigurinë e vendit, por edhe të Bashkimit Evropian”.

Po ashtu është diskutuar edhe për rritjen e dimensionit të Policisë së Shtetit në operacionet e drejtuara dhe të koordinuara nga Europol.

Nga ana e saj De Bolle ka vlerësuar rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër narkotikëve e trafiqeve, si dhe ndaj krimeve kundër pronës. Ajo vuri theksin në rezultatet e arrira nga Task Forca Antiskifter.

Ndërsa Nano këtë të fundit e quajti si një model suksesi të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Europol. Ai e siguroi Drejtoreshën e Europol-it se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

Të dy drejtuesit e lartë falënderuan njëri-tjetrin për marrjen e detyrës në krye të policisë. De Bolle është rizgjedhur për herë të dytë në krye të Europol.

“Rizgjedhja juaj në krye të Europol është një sinjal i mirë për të thelluar bashkëpunimin në drejtim të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në fushën e narkotikëve, krimeve ndaj personit e pronës, si dhe të krimeve ekonomike e kibernetike”, tha Nano në fjalën e tij drejtuar De Bolle-s.

Policia e Shtetit është pjesëtare në Projektin Analitik “FURTUM”, nëpërmjet TF A-S dhe ka pozicionin e co-leader (bashkëdrejtues), bashkë me vendet anëtare të BE-së, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndaj pronës, i cili është një nga prioritetet më të rëndësishme të Ciklit të Politikave të BE-së, të përcaktuara në prioritetet e EMPACT (Platforma Multidisiplinare Evropiane Kundër Kërcënimeve të Krimit të Organizuar).

Sakaq, Policia e Shtetit është pjesëmarrëse aktive në përpilimin e Planeve Operacionale të Veprimit – OAP 8.2, në kuadër të EMPACT, për krimet kundër pronës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore