Lajme

Nagavci: Vlera e koeficientit për mësimdhënësit caktohet së shpejti


Arberie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës tha se vlera e koeficientit bazë për mësimdhënësit do të përcaktohet shumë shpejt nga Qeveria.

Ligji për Pagat është miratuar të enjten e 22 dhjetorit, por deri më tani ende nuk është bërë i ditur koeficienti bazë.

“Vlera e koeficientit do të përcaktohet shumë shpejt në Qeveri. Nuk është në kompetencat e mia të plota të flasë për këtë, por besoj se koeficientit do të reflektojë edhe rritjen ekonomike”.

“Sektori i arsimit është përfitues i të gjitha ndryshimeve dhe koeficienteve që janë planifikuar në Ligjin e Pagave”, shtoi ajo.

Për më tepër, Nagavci vlerësoi se gjatë vitit që shkoi kanë bërë punë shumë të mirë sa i përket plotësimit të infrastrukturës ligjore në sektorin e arsimit.

“Janë katër ligje të finalizuara, shumë prej të cilave kanë filluar me dekada më herët dhe nuk kanë arritur të finalizohen dhe një varg i udhëzimeve administrative, por tani duhet të bëhet implementimi i tyre në praktikë”.

Numri një në ministrinë e Arsimit, ka komentuar edhe shkëputjen e kontratës kolektive të 21 nëntorit, teksa shtoit se ekzekutivi është duke punuar që të ketë kontratë kolektive të përgjithshme.

“Ne, bashkë me informatën zyrtare për këtë çështje, e kemi dërguar edhe ftesën në SBASHK për të filluar diskutimet për kontratën e re kolektive dhe këtë e ka përmendur edhe vet kryeministri Kurti, duke thënë se qëllimi dhe orientimi ynë si qeveri është që të kemi kontratë të përgjithshme kolektive”, theksoi ajo.

Nagavci në RTK potencoi se vullneti dhe gatishmëria e Qeverisë ekziston, por sipas saj SBASHK-u nuk është i interesuar të negociojë kontratë të re.

“Sidoqoftë, besoj se do të reflektojnë sërish dhe do të shohin se është gabim edhe ky qëndrim i tyre”, u shpreh ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore