Lajme

Nagavci: Viti i ri shkollor nis më 1 shtator


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, gjatë një konference për media ka treguar se viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator.

“Kemi finalizuar kalendarin vitit ri shkollor 2023/24. Sipas udhëzimit administrative, viti ri shkollor fillon më 1 shtator. Risi është se do të kemi edhe pushimi vjeshtor, në mënyrë që të kemi balancim mes ngarkesës së fëmijëve gjatë gjithë vitit të ri shkollor”, tha Nagavci.

Nagavci ka theksuar se gjatë kësaj jave do të japin detaje lidhur me furnizimin e shkollave me tekste shkollore, teksa shtoi se tekstet duhet të jenë cilësore.

“Shpresoj që të arrijmë me kohë t’i furnizojmë nxënësit me tekste mësimore, gjithsesi jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mos ketë vonesa në këtë drejtim që po krijohen për shkak të arsyeve të ndryshme”, shtoi ajo.

“Me aq sa jam njoftuar nga ekipi që negocion kontratat për blerjen e teksteve, kam parë anomali mjaft të mëdha, kam parë tekste shkollore të përcaktuar me shuma të mëdha, 13, 14 dhe 15 euro dhe si ministri natyrisht që kemi edhe përgjegjësinë e kujdesit ndaj buxhetit të shtetit përveç se për cilësinë e tekstit”.

Ajo ka potencuar se në fund të javës do të njoftojë më hollësisht për procesin dhe ndryshimet që planifikohen në lidhje me furnizimin e fëmijëve me tekstet shkollore.

Ndërsa Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vonesën e shpërndarjes së teksteve mësimore nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe këto vonesa i kanë konsideruar si të papranueshme.

Përmes një njoftimi për media, Asociacioni i Komunave kërkon nga MASHT që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës.

“Kjo vonesë tepër e panevojshme mund të shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore