Lajme

Nafisi: Regjimi nuk është më i frikshëm, lufta është për liri


Azar Nafisi i ndjek konvulsionet e fundit të krizës në Lindjen e Mesme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton prej më shumë se 20 vitesh.

Shkrimtarja, e konsideruar si një nga zërat më të rëndësishëm të Iranit në mërgim, në fakt jeton e lidhur ngushtë – nëpërmjet telefonit apo internetit – me Teheranin dhe me familjen e miqtë që ka ende atje.

Pas sulmit të së shtunës nga Irani, ajo tregon se ka marrë reagime skeptike nga miqtë me të cilët ka folur.

“Reagimet që kam marrë janë skeptike: miqtë e mi, të afërmit e mi, të gjithë thonë se lufta e vërtetë për iranianët nuk është ajo kundër Izraelit, por ajo kundër regjimit islamik që i shtyp ata. Dhe kjo krizë po përdoret tani si një devijim nga problemet e brendshme me të cilat nuk dëshirohet përballja. Siç besoj se po bën edhe Netanyahu”.

Por historia mëson se një vend në luftë ose nën sulm bashkohet pas qeverisë: edhe një qeveri jopopullore…

“Sigurisht, por nuk është kështu. Nëse qeveria në Teheran mendon se mjafton të trembë njerëzit për të ndalur protestat, se mjafton të thuhet ‘jemi në kohë lufte’, ata e kanë gabim: frika nuk funksionon më në Iran”.

Sipas saj, ka shumë njerëz që nuk kanë më frikë: ata që dalin në rrugë pavarësisht se i qëllojnë, gratë heqin mbulesën dhe përfundojnë në burg, të rinjtë që kërcejnë dhe gjejnë plumba si kundërpërgjigje.

“E gjithë kjo ndodhi me muaj të tërë, por askush nuk u ndal, protesta vazhdoi. Për iranianët koncepti i jetës tani përkon me atë të lirisë. Nuk ka jetë nëse nuk ka liri: për këtë arsye njerëzit janë gati të vdesin. Dhe për këtë arsye regjimi nuk mund të trembë më të gjithë ata që duan lirinë”.

Por a mund të jetë edhe ky një moment ndryshimi i brendshëm?

“Ndryshimi i brendshëm tashmë është duke u zhvilluar. Quhet ‘Gruaja, Jeta dhe liria’. Kjo lëvizje ka ndryshuar Iranin: do të duhet kohë, por nuk ka kthim prapa. Njerëzit e kanë gjetur fuqinë e tyre, e kanë gjetur gratë, që përdorin trupin, rrobat, lëvizjet, grimin për të thënë nëse janë me regjimin apo jo. Dhe janë të gatshme të paguajnë çmimin për jo-në e tyre”.

Ndërkohë në mediat sociale që i referohen Iranit, nga brenda dhe nga jashtë, ka mbështetje për Izraelin.

“Njerëzve u pëlqen gjithçka që regjimit nuk i pëlqen. Në momentin që Izraeli bëhet armik, reagimi i atyre që kundërshtojnë regjimin është ‘epo, atëherë nuk duhet të jetë aq keq’. Nuk do ta lexoja si një sinjal politik”.

“Gjithashtu për shkak se idetë janë të ngatërruara edhe për çështjen palestineze: pak e kuptojnë me të vërtetë se ka një ndryshim midis të qenit palestinez dhe detyrimisht të qenit nga Hamasi”.

Sipas shkrimtares, e njëjta gjë vlen edhe për libanezët dhe Hezbollahun.

“Informacioni që vjen në Iran nuk është i besueshëm: kushdo që vërtet dëshiron të kuptojë duhet të shkojë në internet. Dhe jo të gjithë e bëjnë këtë”.

Ajo ndërkaq nuk ka mbetur pa shpresë për të ardhmen e vendit të saj.

“Në fillim të regjimit islamik, Ajatollah Khomeini nxori dekretin që e bënte të detyrueshme mbulesën për gratë. Dhjetëra mijëra gra dolën në rrugë për të protestuar. Një nga sloganet e tyre kryesore ishte: ‘Liria nuk është perëndimore apo lindore. Liria është globale’. Këto fjalë sot vlejnë për Iranin, Palestinën, Izraelin, Ukrainën, Afganistanin dhe çdo komb në botë”.

“Këto janë fjalë që më ripërtërijnë shpresën për të ardhmen e vendit tim”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore