Lajme

Myftiu i Kosovës uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit


Myftiu i Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava.

Myftiu i Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë në prag të festës së Fitër Bajramit.

Myftiu Tërnava gjatë urimit të tij tha se Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë dhe që shënon përfundimin e Muajit të Ramazanit.

“Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë”.

“Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, tha Tërnava.

Ai tutje tha se çdo qytetar duhet që të punojnë në ruajtjen e familjes si dhe të vendlindjes.

“Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”.

“Është obligim i yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë vend me perspektivë. Një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë rritën të sigurt e marrin edukim cilësor”.

Fitër Bajrami është një nga festat kryesore të besimtarëve myslimanë dhe festohet të premten, më 21 prill.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Gjatë kësaj periudhe, besimtarët myslimanë përmbahen ngrënia dhe pirja që nga lindja e Diellit deri në perëndim, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore