Lajme

Mustafa: Qeveria Kurti s’përmbushi asnjë kriter për liberalizim të vizave


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pasi Qeveria ka marrë meritat për liberalizmin e vizave, derisa ka theksuar se liberalizimi nuk është akt për të përvetësuar meritat nga askush dhe se është proces i filluar nga ekzekutivi në vitin 2009.

“Cilin kusht – kriter e përmbushi Qeveria Kurti për liberalizimin e vizave. Asnjë dhe asnjërin. Nga 95 kushte-kriteret që i kishte Kosova, 93 ishin përmbushur në vitin 2016 dhe dy të fundit, formalisht në vitin 2018”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas Mustafës, Komisioni Evropian në Raportin e vitit 2018 kishte deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se në në këtë raport shpjegohet po ashtu se Komisioni pas 4 raporteve të progresit, më 4 maj të vitit 2016 kishte dhënë propozimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Propozimi bazohej në mirëkuptim se në kohën kur ai miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të kishte forcuar historikun e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, shtoi.

“Në takimin tim si kryeministër me Kryetarin e Komisionit Evropian Jean-Claudie Juncker në Bruksel, më 27 prill 2016, mu tha se Kosova sipas vlerësimeve të KE-së kishte përmbushur 93 nga 95 kriteret e përcaktuara për liberalizim të vizave. Në përmbushjen e këtyre 93 kritereve punën më të madhe e bënë ministritë e brendshme, ministritë e punëve të jashtme, të integrimeve evropiane, ato të administrimit të pushtetit lokal dhe komunat”.

Mustafa ka treguar tutje se në takimet me përfaqësuesit e BE-së, Frederica Mogerini dhe komisionarët e KE-së në Nju Jork në shtator të vitit 2016 iu konfirmua se BE do të fillojë liberalizimin e vizave para fundit të vitit 2016 nëse Kosova ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Opozita kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi duke trilluar se Kosova po humb 8200 hektarë. Demarkacioni u votua në mars të vitit 2018, gënjeshtrat u gëlltitën, por qytetarët e Kosovës u dashtë të presin edhe 7 vjet para ambasadave, të humbin kohë e të shpenzojnë para. Për këtë vonesë nuk mund të fajësohet vetëm Vetëvendosja, ishin edhe parti të tjera opozitare ( AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK”.

Sipas ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, “këta kalkulantë të votave”, Kosovës nuk ia kthyen asnjë hektar nga predikimet e tyre, por qytetarëve ua zbrazën gjepat, kurse gënjeshtrat dhe mashtrimet i shitën dhe vazhdojnë t’i shesin në tregun e lirë të popullzimit.

“Liberalizimi i vizave në vitin 2016 do të kishte domethënie tjetër politike, kurse përfitimet e shtetit dhe të qytetarëve do të ishin shumë të mëdha. Por shumë më mirë vonë sesa të mbeteshim në geto”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore