Lajme

Mustafa: Programi i qeverisë “bosh dhe pa detaje”


Besian Mustafa L

Programi i qeverisë për katër vitet e ardhme sipas Besian Mustafës, anëtarë i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, u kritikua për shkak të përmbajtjes boshe dhe të pa detajuar.

“i zbrazët, me deklarime boshe, pa caktim të masave dhe objektivave, dhe është i pa buxhetuar”, tha Besian Mustafa në një konferencë për medie.

“Do ta fusë Kosovën në një borxh prej 1.69 miliardë euro, ku për çdo vit i bie rreth 423 milionë euro borxh për qytetarët e Kosovës, këto borxhe do i paguajnë brezat e ardhshëm”, tha Mustafa duke vlerësuar programin ekonomik të qeverisë Kurti 2.

Sipas Mustafës, qeveria Kurti nuk ka dhënë detaje se sa do të jetë rritja ekonomike “sa do të jetë buxheti pas katër viteve, sa kosovarë do të jenë të pa punë, sa do të jetë deficiti tregtarë, sa do të jenë investimet e huaja, sa do të rritët prodhimi vendor, si do të rritet eksporti”.

Mustafa veçon edhe mungesën e planifikimit të buxhetit i cili çon vendin drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik në afat më të gjatë.

“Nuk parashihet asnjë projekt i ri kapital për katër vitet e ardhshme, dhe parashihen zero masa për sektorin e teknologjisë informative” shtoi Mustafa.

Mustafa pati kritikë edhe për Fondin Sovran, ku sipas tij ky fond do të menaxhohet nga një “ekip i ngushtë i njerëzve të pushtetit”, dhe se nga ai do të përfitojnë njerëz të lidhur me pushtetin.

Ndërsa për Bankën Zhvillimore, anëtari i kryesisë së LDK-së tha se me këtë, “qeveria do ti ngarkojë me borxh qytetarët, dhe ato para do t’i jap disa kompanive besnike ndaj pushtetit” dhe se kjo “bankë nuk do të përkrahë gjithë sektorin privat, por vetëm disa kompani të lidhura me pushtetin”.

Mustafa kritikon qeverinë aktuale për mos shpalosje të programit për 23 skemat sociale aktuale dhe sipas tij kjo qeveri do të vazhdoj t’i fusë qytetarët në borxhe.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore