Lajme

Mustafa për Albanian Post: Referendumi prek sovranitetin – është dashur me kohë të punohet me QUINT-in


Isa Mustafa

Si situatë të palakueshme po e sheh ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, faktin se QUINT-i po kërkon nga qeveria të lejojë mbajtjen e Referendumit serb në Kosovë, derisa nëse veç mbahet, atëherë preket sovraniteti i shtetit.

Prandaj, thotë ai në një përgjigje për Albanian Post, është dashur prej kohësh të punohet me QUINT-in, para se të gjendej qeveria në këtë situatë.

“Rasti i referendumit nuk është i thjeshtë, sepse prek sovranitetin tonë. Prandaj është dashur me kohë të punohet me QUINT-in. Ne të shkojmë te ta e t’i sqarojmë pozicionet tona. Edhe kur ke të drejtë nuk komunikohet me BE-në, SHBA-të dhe me QUINT-in me deklarata, por sy më sy”, ka deklaruar Mustafa për AP.

Ai ka shtuar se sa ishte vetë kryeministër dhe udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, “për tema të ngjashme, jo për referendume, si pozitë apo opozitë kemi marrë qëndrimet tona si LDK dhe si Qeveri dhe së bashku me qëndrimet, edhe përgjegjësinë”.

“Tani për këto çështje qëndrimet duhet t’i konkretizojnë pozita dhe opozita aktuale ( së bashku me përgjegjësinë)”.

Mustafa ka kujtuar edhe kohën kur në publik tentohej të krijohej një atmosferë e tillë që një përgjigje “jo” për partnerët ndërkombëtare të normalizohej.

“Nuk është larg koha kur opinioni, mediat dhe individët promovonin nevojën që Kosova duhet ta ketë një Qeveri që di t’i thotë JO Bashkimit Evropian, JO, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Referendumi që pritet të mbahet me 16 janar në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore