Lajme

Mustafa konsideron se Marrëveshja e Ohrit është “shumë më e rëndë” sesa Marrëveshja e 2013’ës


Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për “Kosova Press”, ka konsideruar se Marrëveshja e Ohrit (18 mars) është “shumë më e rëndë” se Marrëveshja e Brukselit (2013), veçanërisht sa i përket zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

“Tani nuk është paraparë por vetëm është ndryshuar cilësimi i asociacionit në vetëmenaxhim të komuniteti serb. Çfarë është vetëmenaxhimi i komuniteti serb për mua është e paqartë – më shumë përngjanë në një lloj të autonomisë për qytetarët serbë në Kosovë se sa në një bashkësi…”, ka thënë Mustafa.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet propozimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë ua ka propozuar kancelarive evropiane, megjithëse për ish-kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, draft-statutit duhet të hartohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Unë s’e kam parë atë dokument, mirëpo nuk ka qenë në detyrën e Ramës, ajo detyrë ka qenë e kryeministri Kurti dhe qeverisë Kurti, sepse edhe kërkesa e Bashkimit Evropian ka qenë që ekzekutivi të sjellë një propozim për implementimin e Marrëveshjes se Ohrit…”, ka theksuar ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri i Kosovës, po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë, nga frika e krijimit të një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Megjithatë, ish-kryeministri Mustafa edhe në të kaluarën ka deklaruar se garancia e ish-Përfaqësueses së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe s’do të përbënte nivel të tretë të pushtetit, duhet të jetë ende valide.

Kjo letër, që ish-shefja e diplomacisë evropiane ia pati dërguar ish-kryeministrit Mustafa në vitin 2015, tash është shndërruar në një nga siguresat më të rëndësishme të kryeministri Kurti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por pa kompetenca ekzekutive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore