Lajme

Murati: Për vaj ushqimor dhe grurë qytetarët paguajnë më shtrenjtë për shkak të LDK-së


Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mosuljen e çmimeve.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri ka thënë se çmimi i furnizimit të importit në disa kategori ka rënë.

“Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër. Çmimi i furnizimit nga importi për grurë  ka rënë në 0.24 euro/kg”.

Por, që pagesa po bëhet më shtrenjtë për shkak të dërgimit të ligjit për çmimin tavan në Kushtetuese.

“Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”.

Më 16 nëntor, deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Selmanaj, në një konferencë për media ka thënë se si parti këtë projektligj e konsiderojnë antikushtetues.

Në muajin tetor, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, kishte kërkuar që të miratohet ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ajo sqaroi se ky projektligj në raste të veçanta zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produktet themelore.

“Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore. Ky projektligj ka paraparë masa që do të ndërmerren në raste të veçanta. Duke marrë parasysh rëndësinë e miratimit të këtij projektligji, ju ftoj ta aprovoni sepse një ligj i tillë është aprovuar edhe në shtete të rajonit”, kishte thënë Hajdari.

Kërkimin për miratimin e këtij projektligji e kishte bërë edhe shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Një masë e tillë ishte paralajmëruar edhe më 13 korrik nga ministrja Hajdari.

Dy opsionet që kjo ministri ishte thënë se është duke shqyrtuar është caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore