Lajme

Murati për pagat e grevistëve: Do të procedojmë me hapat që parasheh legjislacioni në fuqi


Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media i pyetur nëse do të ndalen pagat e grevistëve këtë muaj ka sqaruar se do të bazohen në listat e dorëzuar për muajin shtator.

“Muajin e kaluar për muajin gusht komunat janë arsyetuar që nuk kanë mundur t’i përditësojnë listat për shkak se ato i kanë dorëzuar para afatit e më pas është deklaruar greva, kurse tani ka qenë mundësia tani ka qenë që listat të dorëzohen më 10 gusht”.

Murati ka thënë se të gjitha vendimet do të merren sipas legjislacionit në fuqi.

“Ne do të shohim se si janë deklaruar listat dhe në varësi të paraqitjes faktike nga ana e komunave do të procedojmë me hapat që parasheh legjislacioni në fuqi”, deklaroi Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murat.

Ministri ka sqaruar edhe legjislacionin i cili është në funksion.

“Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit që kërkon që të bëhet auditim i veçantë për këto çështje dhe të shihet nëse ka pasur mashtrim, deklarim të rrejshëm në listat e pagave dhe është dëmtuar buxheti. Nëse ndodhin këto atëherë do të duhet të marrim hapat që parasheh legjislacioni në fuqi, ky nuk është vendim i Qeverisë është ajo çfarë e parasheh ligji”.

Ai ka thënë se në një situatë të tillë kanë vetëm një dëshirë.

“Dëshira jonë do të ishte që fëmijët dhe mësimdhënësit të kthehen në shkolla”.

Nagavci: Kishte vullnet nga të dyja palët për përfundimin e grevës  

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci, tha se qeveria aktuale ka trajtuar mësimdhënësit shumë më mirë se qeveritë e kaluara.

“Kryesia e SBASHK-ut e dinë që në projektligj mësimdhënësit janë trajtuar më mirë sesa në projektligjet e kaluara. Kur greva në vitin 2019 ishte ndërprerë pas tri javë grevë pa asnjë premtim unë konsideroj se këtu e tregojmë jo vetëm vullnetin tonë por edhe punën që jemi duke bërë përkushtimin tonë pasi jemi duke folur për një trajtim të dinjitetshëm të mësimdhënësve, por edhe përmirësim në mësim”, tha Nagavci.

“Kur kishte grevë në vitin 2005 katër javë grevë dhe në fund është ndërprerë greva për rritje pagash prej 7 euro, kur ka pasur grevë në vitin 2019 nga SBASHK-u edhe greva është ndërprerë në fakt me diçka që nuk kishte asnjë premtim”.

Ajo u shpreh optimiste me takimin që u zhvillua të martën nga të dyja palët.

“Nuk është që nuk ka pasur vullnet nga Qeveria, vetëm takimi tregon se ka pasur vullnet nga të dyja palët”.

Ndërkaq, sa i përket zëvendësimit të orëve nga nxënësit ministrja deklaroi se do të shqyrtohet në muajt e ardhshëm.

Ajo shtoi se edhe “çështja e kalendarit të shkollës është një vendim që duhet të procedohet, ne do të rishqyrtojmë kalanderin e vitit shkollor me kujdes dhe në mënyrë që të mos dëmtohen sërish nxënësit. Sepse ajo që ndodh në vazhdimësi është që të dëmtuarit mbesin fëmijët”.

Ndryshe, greva në arsim është duke vazhduar që nga 25 gushti. Kryeministri Albin Kurti më 13 shtator ka ftuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në takim për të gjetur një zgjidhje.

Por, që i njëjti përfundoi pa rezultat mes dy palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore