Lajme

Murati njofton për ekzekutimin e pagave në sektorin publik, udhëzon qytetarët të festojnë me produkte vendore


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka njoftuar se MFPT-ja ka ekzekutuar pagat e muajit dhjetor për sektorin publik, ndërsa ka udhëzuar qytetarët që të festojnë ndërrimin e motmoteve me produkte vendore.

Ai ka njoftuar se janë rreth 140 milionë euro pagesa të bëra në llogaritë e qytetarëve, vetëm këtë javë, duke përfshirë shtesat, ndërsa ka konsideruar se blerja e produkteve vendore do të ndikonte në forcimin e ekonomisë dhe rritjes së punësimit, kurse të dyja bashkë, do të mundësonin rritjen e buxhetit dhe sëkëndejmi, ngritjen e pagave dhe mbështetjen e qytetarëve.

“Do të ishte mirë që secili prej nesh të japim kontribut në forcimin e ekonomisë duke blerë sa më shumë prodhime vendore, sidomos në kohë festash si tani. Sa më shumë produkte vendore që blejmë, aq më shumë rritet punësimi e ekonomia. E kjo pastaj na mundëson që të rrisim buxhetin, e me më shumë buxhet rriten edhe pagat dhe mbështetja për të gjithë qytetarët”.

Blerja dhe konsumimi i produkteve “Made in Kosova” në tregun vendor, me gjithë faktin që kanë shënuar rritje viteve të fundit për shkak të lansimit të fushatës vetdijësuese rreth produkteve vendore, vazhdon të mbetet i ulët, ndërsa produktet e importuara vazhdojnë të dominojnë tregun e Kosovës dhe të konsumohen në masë të madhe nga kosovarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore