Lajme

Murati: Koeficienti i pagave nuk mund të rritet sipas imagjinatës


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati

Nga sindikatat ishte paralajmëruar se nëse vlera e koeficientit do të jetë më e ulët do të ketë protesta dhe greva.

Mirëpo, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, i pyetur nga gazetarët në konferencë për media për protestat e paralajmëruar ka thënë se “shifra të vlerës së koeficientit me tahmin mund të jap gjithkush”.

“Ne jemi shtet dhe jemi Qeveri dhe vlerat si dhe llogaritjet duhet të bëhen në bazë të llogaritjeve të sakta dhe hapësirave ligjore që i kemi. Besoj, që kjo është mirëpritur nga të gjithë kur e shohim edhe efektin real, hamëndësimet me vlera të ndryshme të cilat merren nga ajri mund edhe të jenë në vlera të imagjinares dhe pa kurrfarë llogaritje, ato nuk qëndrojnë dhe janë të pasakta si dhe të pamundura”.

Sipas ministrit me një vlerë të tillë është bërë një hap “shumë i mirë”.

“Ne mund të flasim çka është e mundur dhe konsideroj që me një rritje të tillë është bërë një hap shumë i mirë”.

Ai shtoi se, “me ligjin e ri mesatarja bruto do të jetë 730 euro për vitin 2023, një rritje 17 për qind”, ka thënë Murati në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ministri ka bërë të ditur se nga muaji shkurt do të fillohet me implementimin e ligjit të ri të pagave.

Ai sqaroi se përveç koeficientit në vlerë prej 105 euro, do të ketë përllogaritje edhe në shtesa të tjera në sektorin publik, njëra nga to do të jetë përvoja e punës.

“Përveç koeficientit të pastër pra që është përcaktuar në vlerën prej 105 euro, ka edhe shtesa që përbëjnë mesatarisht 12 për qind dhe janë të shpërndara qoftë në mënyrë universale siç është shtesa prej përvojës së punës apo shtesat e tjera kategorike që mbulojnë ose rrezikshmërinë ose kushtet e tjera të tregut të punës”.

Përpjesëtimi i vlerës së koeficientit për sektorë të ndryshëm është bërë në bashkëpunim me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme.

“Si tërësi, pra vlera e koeficienteve për këtë vit është arritur të realizohet në bazë të përpjesëtimeve që janë bërë. Ndërsa në vitin e ardhshëm nëse kemi rritjen ekonomike që parashikohet për këtë vit, do të jetë 110 euro në janar të 2024”.

Vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave do të jetë 105 euro.

Këtë vlerë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Pas këtij procesi voluminoz e shumë kompleks, kemi arritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 që është 105, e nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave e Transfereve, ai do të jetë 110″.

Sipas tij, do të ketë sërish rritje të kësaj vlerë, por ajo do të bëhet sipas rritjes së punës dhe rritjes ekonomike të Kosovës.

“Me këtë plotësim ndryshim të ligjit të buxhetit, i hapet rrugë sistemit të ri të pagave në Republikën e Kosovës prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri e vlera të reja të kompensimeve, kemi arritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut mes zyrtarëve të lartë e tjerëve, e mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionim shoqërisë, mjekët, arsimtarët, policët e ushtarakët”, tha Kurti.

Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin.

Pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.

Vlera e koeficientit ishte mbajtur e fshehur për një kohë shumë të gjatë asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk ishte informuar se sa do ta ketë pagën.

Nga secila kategori kishin thënë për Albanian Post se vlerën e koeficientit e presin që të jetë 130 euro, nëse kjo vlerë do të ishte më e ulët të njëjtit kanë paralajmëruar protesta.

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 vendoset 105 euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore