Lajme

Mungesa e vaksinimit në Kosovë, do të sjellë valë të re të COVID-19


Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj

Autoritetet shëndetësore të Kosovës më 29 qershor njoftuan se kanë regjistruar dy raste me variantin Delta të COVID-19.

Paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se hezitimi për t’u vaksinuar e dërgon vendin drejt një vale të re të pandemisë, po gjen mbështetje edhe nga Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

Vishaj për Albanian Post tha se edhe Kosova mund të jetë njëri ndër vendet që mund të preket me COVID-19, edhe pse situata me pandeminë në korrik vazhdon të jetë e qetë, nuk është garanci se kjo do të vazhdojë muajve në vijim.

“Është e mundshme që Kosova të preket me një valë të re të COVID-19. Por, mundësia që kjo valë të jetë me një intensitet më të ulët është në qoftë se popullata vaksinohet, në qoftë se bëhet vaksinimi masiv sa më i shpejt i mundshëm.

Ai ka thënë se vetëm vaksinimi mund ta parandaloj përhapjen.

“Shpresojmë që me masat e ndërmarra në drejtim të vaksinimit të popullatës mbi moshën 18 vjeçare, kjo valë e re duhet të jetë një intensitet më i ulët me pasoja me të vogël”, thotë ai.

Ndërsa, sa i përket paralajmërimit të infektologëve që një valë e re e COVID-19, mund të përhapet në fund të gushtit ose në shtator, ai thotë se nuk duhet të jetë në fokusin tonë kryesor kjo çështje.

“Zakonisht, prognozat që jepen duhet të jenë të detajizuara. Por, ne nuk duhet të fokusohemi në atë se çfarë do të ndodh në shtator apo tetor, por qëllimi jonë duhet të jetë vaksinimi sa më i shpejtë i popullsisë në mënyrë që valët në vazhdimësi të jenë të një intensiteti të tillë që mos të e dëmtojnë në një masë shumë të madhe shëndetin publik”.

Në Klinikën Infektive, për dallim nga viti i kaluar ka një numër shumë më të vogël të pacientëve me COVID-19.

“Aktualisht me COVID-19 ne i kemi pesë pacientë duke u trajtuar, pra kemi një fluks shumë të vogël të pacientëve, për dallim që një vite më përpara në këtë kohë ne kemi pasur 120 pacientë, sigurisht që rreth 80 kanë qenë me oksigjen-terapi, ndërsa tani i kemi vetëm pesë pacient që janë duke u trajtuar”.

Kurse, ai thekson se me variantin Delta në Kosovë, të cilët e kanë kaluar janë vetëm dy persona.

“Deri më sot ne i kemi dy pacientë të cilat kanë shkuar në gjendje të mirë shëndetësore, rreth tri jave më pas kanë ardhur rezultatet që këta pacientë kanë rezultuar pozitiv me variantin Delta”, shprehet Vishaj.

Gjatë kësaj jave edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka paralajmëruar rrezikun për një valë tjerët nga varianti “Delta” nëse nuk vaksinohen qytetarët e Kosovës.

Varianti “Delta”, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të COVID-19.

Në Kosovë vaksinimi masiv ka nisur në fund të muajit mars, prej atëherë e deri më sot janë vaksinuar mbi 250 mijë qytetarë derisa vetëm 8 persona kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus në 24 orët e fundit.

Po ashtu, të shtunën, më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, që ishin donacion nga shteti i Norvegjisë.

Vaksinimi në masë për qytetarët e Kosovës kundër COVID-19, ka nisur më 15 qershor. Brenda një ditë jepen mbi një mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në fund të marsit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 206 mijë doza të vaksinës, kurse numri i personave që kanë marrë të dy dozat e vaksinës është rreth 50 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore