Shqipëria

Mundësia e madhe e tre vendeve të vogla ballkanike


Ilustrim i hartës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me në sfond një pjesë të emigrantëve afganë në Kabul

Tashmë është zyrtare se Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, do të mirëpresin refugjatë afganë, minimalisht deri në çastin kur gati për ta, të jenë vizat amerikane, ku edhe është thënë se do të vendosen në mënyrë të përhershme.

Situata në Afganistan është tërësisht e paqëndrueshme në ditën e dytë të regjimit taleban. Pas mësymjes së rebelëve në Presidencë, pamjet kaotike të Kabulit kanë shëtitur botën.

Mijëra afganë në dëshpërim, kanë kthyer sytë nga perëndimi, teksa disa të tjerë, në dëshpërim e sipër, i kanë mbyllur përgjithmonë.

Përtej situatës së afganëve, pyetja e shtruar në opinion publik, është ajo nëse një pjesë e tyre, duhet apo jo të vijnë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoninë e Veriut.

Zëra thonë se mund të jenë rreth 2 mijë vetëm në Shqipëri. Burime të tjera për Albanian Post, bëjnë me dije se me shumë gjasë në këto 24 orë, priten 300 të parët.

Por, a duhet realisht të presë Ballkani refugjatët afganë?

“Ne në Kosovë e dimë shumë mirë ndjenjën e pafuqisë që vjen në çastin kur dëbohesh dhunshëm nga shtëpia. Dhimbjen dhe pasigurinë që të kaplon, kur ndahesh pa dëshirë nga gjithçka që njeh dhe do”.

Kështu e paralelizon situatën e sotme përjetuar nga afganët, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në një prononcim për Albanian Post.

Për të, edhe pse Kosova është vend i vogël e me resurse të limituara, duhet të tregojë zemërgjerësi. Mbi pranimin ose jo të refugjatëve, ajo është e qartë në qëndrimin e saj.

“Po! E kemi para së gjithash detyrim njerëzor”.

Gjithsesi, përtej dimensionit humanitar, ka edhe një ndryshim paradigme për Çitakun. Nga një vend prej të cilit janë dëbuar dhunshëm gjysma e popullsisë, sot, Kosova strehon refugjatë.

Kjo, për të, e bën Prishtinën pjesë aktive të familjes ndërkombëtare.

“Trinomi i shenjtë”

“Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, janë të lidhura me Shenjtën Nënë Terezë. Ajo është shqiptare, me origjinë nga Kosova, e lindur në Shkup. Lutjet e saj për ata që janë në luftë, për te ikurit e refugjatët këtë radhë, ranë mbi ne. Moralisht na lartëson ky akt para Perëndimit dhe Lindjes”.

Kështu e përkufizon pranimin e afganëve në Shqipëri, ish-kryediplomati shqiptar në Vatikan, Visar Zhiti. Ndaj, për të, më së shumti, ky mision është human, përpara se të jetë politik apo diplomatik.

“Nëse janë zgjedhur a caktuar për këtë tre vende të vegjël ballkanikë, do te thosha thjesht se tek e vogla fshihet dhe e madhja siç është tek e madhja dhe e vogla”, vijon ai.

Ndërsa për komentet e kryetarit të Komitetit për Marrëdhëniet më Jashtë në Senatit amerikan, Bob Mendez, se shqiptarët po i tregojnë botës sërish se ç’është Besa, Zhiti e përkufizoi këtë të fundit si institucion.

“Asaj i mjafton vetvetja dhe nuk ka nevojë për politikat e ditës. Politika ka nevojë për të”.

Për dhënien e ndihmës, edhe ai është i qartë në përgjigje. “Askush nuk duhet përjashtuar nga mbështetja, ndihma, pritja”.

Një situatë e tillë në Kabul, është e trishtë për t’u parë. Mbi të gjitha, nga vendet ballkanike, të cilat kanë përjetuar skenarë të ngjashëm mësymjesh”.

Sakaq, një mundësi e madhe për tre vende të vogla ballkanike, duket të jetë kjo ngjarje, e cila ka prekur mendjen e zemrat e gjithë botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore