Lajme

MSH-ja akuzon OSHP-në për rrezikimin e shëndetit publik


Njëra nga barnatoret në Prishtinë. Foto: Albanian Post

Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka drejtuar akuza ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), se përmes vendimeve të kundërligjshme, po tentohet të lejojnë prokurimin e barnave pa Autorizim të Marketingut në Kosovë.

Sipas MSH-së, kjo është e ndaluar me Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale.

“Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik se të gjitha këto vendime i ka kundërshtuar nëpërmjet padive gjyqësore dhe ka kërkuar pezullimin e vendimeve deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, e që jemi të bindur se gjykata do t’i konsiderojë si të kundërligjshme”, thuhet në një komunikatë për media të MSH-së.

Ndërkaq, kanë theksuar se rreziku që u kanoset përdoruesve të barnave pa autorizim marketingu është i lartë.

“Ky Autorizim është kusht bazik i patejkalueshëm për verifikimin e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të barnave. Ne si institucion kemi ndërmarrë të gjitha masat që të ndalojmë prokurimet pa Autorizim Marketingu kemi ndryshuar një Udhëzim Administrativ që në të kaluarën ka krijuar ambiguitet në importin e barnave dhe kemi kërkuar nga të gjitha njësitë e kërkesës që prokurimet të bëhen vetëm me Autorizim Marketingu, respektivisht në përputhje me dispozitat që ka përcaktuar ligji respektiv”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa  thuhet se në këtë reformë të sigurimit të cilësisë, ky institucion shëndetësor është duke u ballafaquar me rezistencën.

“Me këto vendime është duke ndihmuar kompanitë farmaceutike të cilat refuzojnë qe shumë vite regjistrimin e barnave dhe rrezikojnë të krijojnë kaos farmaceutik në vend. Nuk ka asnjë arsyetim valid dhe të pranueshëm që qarkulluesit e produkteve medicinale mos të pajisen me Autorizimin e Marketingut sipas kërkesave të Ligjit por edhe të çdo standardi për sigurinë e barnave”.

MSH ka sqaruar se OSHP-ja ka konstatuar se një udhëzim administrativ ka vlerë më të madhe se sa Ligji për produkte pajisje medicinale dhe e ka devijuar edhe përmbajtjen e udhëzimit.

“Po ashtu, OSHP i mori të gjitha këto vendime, pa konsultim me organet përgjegjëse, pa angazhuar ekspertë të fushës së farmacisë dhe në kundërshtim me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik.

Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore