Kosova

MPJD: Shtetasit kosovarë në Afganistan janë në gjendje të mirë


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se tre kosovarët të cilët ndodhen në Afganistan janë në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut.

MPJD, ka treguar se tre shtetas kosovarë të cilët ndodhen në Afganistan janë kontaktuar me qëllim të evakuimit të tyre sa më shpejt nga atje.

“Është duke vazhduar angazhimin intensiv për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejt nga atje. Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në anën tjetër, ndihmë për evakuimin nga Afganistani, shtetasit kosovarë kanë kërkuar edhe nga Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari i tij, Naim Murseli, ku sipas tij Pacolli ka angazhuar aeroplanin e tij privat për të ndihmuar shtetasit kosovarë dhe të huaj për evakuim nga atje.

“Jemi në kontakt direkt me disa shtetas kosovar dhe të huaj të cilët kanë mbetur në Kabul dhe kanë kërkuar ndihmë nga Behgjet Pacolli. Ata ndihen mirë, por kanë frikë për jetën e tyre. Gjatë ditës së djeshme, aeroplani privat i tij u dërgua për në Azinë Jugore për të ndihmuar në evakuim. Pacolli nuk po kursen asgjë për t’i nxjerrë ata nga vendi”, ka shkruar Murseli në Facebook.

Gjatë ditës së diel, Zyra për Media e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte pohuar se është duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Këtë kërkesë të amerikanëve kishte konfirmuar edhe Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit të Kosovës,  duke thënë se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me autoritet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

Pro strehimit të Afganëve në Kosovë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanim ku sipas saj vendimi i një operacioni të tillë humanitar është dhënë mbi parimin njerëzor se “nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre  për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore