Lajme

MPJ-ja kosovare e quan Berishajn si ambasador “i jashtëzakonshëm” në një komunikatë “sterile” për media


Martin Berishaj dhe Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, këtë të shtunë ka marr pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media.

Në këtë njoftim për media ku përveç se vërehet mungesa e kumtesave të takimeve, kokë më kokë, të kryediplomates kosovare me liderët e tjerë pjesëmarrës në këtë Forum, si mjaft e çuditshme mund të cilësohet etiketimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj – emri i të cilit u lakua në një skandal financiar –  si i jashtëzakonshëm.

Mungesa e takimeve si pasojë e masave ndëshkuese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shkak të mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës, në shikimi të parë jep përshtypjen se MPJ-ja kosovare është detyruar të shkruaj një komunikatë për media mjaft sterile, meqë kumtesa në fjalë jep informacione periferike.

Komunikata fillimisht tregon se Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut kanë qenë e shoqëruar me zëvendësin e saj, Kreshnik Ahmetin dhe Ambasadorin e “Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”.

Komunikata gjithashtu tregon, për një informacion dytësorë, se si ministri i Punëve të Jashtme Kroacisë, Gordan Grliç Radman, ka hapur Forumin në fjalë, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe takimeve të tilla, por edhe rëndësinë e veçantë të diasporës për zhvillimet në Kroaci dhe rajon.

“Në emër të Organizatës për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik (OECD) fjalën e mori z. Andreas Schaal, i cili theksoi që diaspora gjithmonë duhet trajtuar si urë e rëndësishme lidhëse”, shtjellon më tej Komunikata.

MPJ-ja kosovare, më tej njofton, se dita e parë e Forumit të Dubrovnikut, u mbyll me diskutimin e organizuar nga Organizata për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik me temën “Migrimi për qëllim punësimi në Evropën Juglindore – si të nxirren sa më shumë dobi prej tij”, ku pjesëmarrëse ka qenë edhe Donika Gërvalla.

“Ministrja Gërvalla fillimisht e falënderoi Ministrin Gordan Grliç Radman dhe OECD-në për ftesën, duke theksuar se Kosova me popullsinë më të re në Evropë është shembulli më i mirë në rajon për luftën e suksesshme  për sundimin e ligjit dhe besimin në drejtësi dhe qeverisje si bazë e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe ulje graduale të numrit të atyre që perspektivën e shohin në emigrim”.

Martin Berishaj është shkelës i ligjit në Kosovë, por ai po vazhdon të gëzojë statusin e plotë të diplomatit si ambasador i vendit në Kroaci.

Berishaj e ka pranuar vetë para Komisionit Parlamentar për Energji se ai nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë ashtu siç e kërkon ligji. Për këtë arsye edhe Agjencioni kundër Korrupsionit i ka ngritur kallëzim penal dhe gjithashtu po hetohet nga Prokuroria Themelore.

Përveç kësaj skandali financiar i ambasadorit Berishaj ka tronditur opinionin politik në disa shtete, por më së rëndi në Kosovë dhe Slloveni. Edhe më tronditëse është mbrojtja që i kanë bërë akterët kryesorë të pushtetit në Kosovë, ndërsa Berishaj vazhdon të udhëheqë diplomacinë kosovare në Kroaci.

Televizioni shtetëror i Sllovenisë në shkurt të këtij viti transmetoi një emision ekskluziv lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë ambasadori kosovar.  Emisioni më i shikuar investigativ (Target) kishte realizuar një edicion special rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-I ku fokus ishte pikërisht Berishaj.

“Çështja më e nxehtë me të cilën po merret policia për momentin janë pazaret ballkanike në çështjen GEN-I, për të cilën po zhvillohet procedimi para-hetimor. Ka shumë pyetje të hapura, pa përgjigje në këtë çështje”, thuhej në hyrjen të emisionit.

Gjithashtu, një grup gazetarësh slloven, ndër ta edhe një nga gazetaret më të njohura në Slloveni, Erika Znidarshiç, vizituan selinë e kompanisë GEN-I në Prishtinë, por aty gjetën vetëm një zyre të fotokopjes.

“Është interesante se në Prishtinë ne po kërkonim selinë e degës së GEN-I në adresën zyrtare, por as kuti postare nuk gjetëm. Më të diskutueshmet janë transferimet e degëve serbe të GEN-I tek kompanitë e ambasadorit aktual të Kosovës”.

“Bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat Berishaj i ka shpërlarë menjëherë pas marrjes së tyre. Nuk dihet se ku i ka marrë paratë. Ne shqyrtuam të dhënat dhe kërkuam përgjigjet e të gjitha institucioneve në Ballkan”, thuhej ndër të tjera.

Madje, shefi i ri i Bordit të kompanisë së energjisë elektrike GEN-I, Maks Helbl, e pati pranuar në emisionin (Target) të televizionit slloven se dega në Beograd e kësaj kompanie e ka paguar ambasadorin Berishaj si konsulent.

“Berishaj na ka dhënë këshilla të rëndësishme. Ky është një person që ka një nivel të caktuar të besimit në publik, ka njohuri edhe për situatën politike në rajon, bazuar në njohuritë e tij ai është në gjendje të sigurojë informacione të nevojshme për tregjet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shtonte ndër të tjera Helbl.

Rasti kurioz i Maratin Berishaj

Në Slloveni ekziston një kompani me emrin GEN-I. Kompania është një ndër më të mëdhatë në rajon për tregtim të energjisë elektrike. Mediat në Slloveni kanë zbuluar se përmes kësaj kompania janë shpërlarë para të taksapaguesve slloven.

GEN-I qendror në Slloveni, hapë filiale në Beograd, Sarajevë, Tiranë e vende të tjera. Më vonë, kompania amë përmes akrobacioneve të ndryshme fiskale u lëshon para degëve të saja për arsye të ndryshme financimi.

Ato para, dalin jashtë shtetit slloven dhe bëhen lehtësisht të manipulueshme. Filialet e kompanisë i shpërlajnë ato duke paguar njerëz si Martin Berishaj. Ai paguhet formalisht për konsulencë, si për shembull nga GEN-I në Beograd me shuma të fryra.

Nga aty, të njëjtat dërgohen në bursa e tregjet e ndryshme, kryesisht në Itali. Informacionet e fundit janë se Martin Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar edhe fushatat elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador.

Media sllovene Prava publikoi të dhëna për transaksione të dyshimta dhe aty zbulohet se bëhet fjalë për afër 100 milionë euro të dërguara nga GEN-I në Slloveni si kompani qendrore në degë dhe filale të ndryshme si në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi e Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore