Lajme

MPB: Kërcënimi për të mos i pranuar targat RKS në veri është vepër penale


Letra e printuar në vetura ku është shtypur regjistrimi i përkohshëm i Republikës së Kosovës si dhe mesazhi kërcënues

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ka dënuar kërcënimet ndaj qytetarëve të Mitrovicës Veriore, pasi atyre u janë vendosur letra të printuara në vetura ku është shtypur regjistrimi i përkohshëm i Republikës së Kosovës si dhe mesazhi kërcënues.

“Forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre. Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në reagimin e MPB-së.

Përmes kësaj komunikate MPB-ja ka njoftuar të gjithë qytetarët se kërcënimi është vepër penale dhe këto forma dhe forma tjera të kërcënimeve do të hetohen nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.

“Përkundër kësaj, MPB i fton të gjithë qytetarët që të pajisen me targa të përkohshme dhe të mos bien pre e këtyre linçimeve. Prej vendimit për vendosjen e targave të përkohshme (20 Shtator 2021) deri më sot janë lëshuar 11500 tabela”.

Dejan Nedelkjoviç një qytetar nga Mitrovica ka publikuar tabelat në ‘Twitter’, në të cilat shkruhen “ Për këto tabela të q*** nëna”.

Ndërkaq dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e dhjetë ditë, pasi më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka vendosur zbatimin e masës së reciprocitetit për tagrat e automjeteve të Serbisë të cilat hyjnë në Kosovë.

Këtë të mërkurë në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohet me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, pas situatës së tensionuar në veri, pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator ka filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore