Lajme

Motra e Lyra McKee: Publikimi i letrës së Sinn Féin shfrytëzon vrasjen për politikë


Motra e Lyra McKee e ka quajtur kohën e zbulimit të një letre drejtuar një grupi të lidhur me disidentët republikanë që dyshohet se qëndrojnë pas vrasjes së gazetares, “shfrytëzuese të tragjedisë për qëllime politike”.

Letra dy vjet e vjetër, nga Declan Kearney i Sinn Féin, thuhet se i referohej një “marrëveshjeje bashkëpunimi” të mundshme midis Saoradh dhe Sinn Féin.

Përpjekje për të “punuar drejt unitetit dhe ndryshimit të pozicionit kushtetues, por vetëm me pëlqim”, sipas zëvendëspresidentes së Sinn Féin, Michelle O’Neill.

Megjithatë, Nichola McKee Corner e quajti rrjedhjen e letrës, në një kohë përçarëse për fushatën elektorale të Sinn Féin, një shfrytëzim të vrasjes së të motrës.

Në një deklaratë, ajo ka vënë në pikëpyetje “kohën e publikimit të letrës dhe lidhjet e bëra me motrën e vrarë”.

Ajo ka shtuar se ata që janë përgjegjës për nxjerrjen e saj “duhet të kenë turp që përdorin motrën time në këtë mënyrë”.

McKee Corner ka treguar se ishte në dijeni të “përpjekjeve të Sinn Féin për të inkurajuar grupet republikane disidente, duke përfshirë Saoradh-in, që të largohen nga dhuna dhe të përfshihen në procesin politik” që nga viti 2019.

Dhe se ky “inkurajim ka qenë i pasuksesshëm deri më sot”.

Sakaq, i ka kërkuar Saoradh-it dhe grupeve të tjera disidente që të pranojnë se lufta ka mbaruar dhe se duhet të heqin dorë nga dhuna një herë e përgjithmonë.

Gazetarja McKee nga Irlanda e Veriut ishte 29 vjeç kur u vra në Creggan, Derry në vitin 2019.

Ajo u gjuajt nga një plumb, teksa raportonte përleshjet e dhunshme. Që atëherë, dy burra janë akuzuar për vrasjen e saj.

Publikimi i letrës vjen në një kohë të përshkruar nga O’Neill si një “moment historik dhe një moment për ndryshim të vërtetë”.

Sondazhet, nga ana tjetër, parashikojnë që Sinn Féin të sigurojë një shumicë në asamblenë e ardhshme, çka do t’i mundësonte partisë të emëronte ministrin e parë republikan në Irlandën e Veriut.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore