Shqipëria

Mosmarrëveshjet më të mëdha të Shqipërisë dhe Serbisë janë kur flitet për Kosovën, thotë Rama


Kryeministri shqiptar Edi Rama, deklaroi se mosmarrëveshjet më të mëdha mes Shqipërisë dhe Serbisë janë kur flitet për Kosovën.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës në Panairin Ndërkombëtar të Verës “VinItaly 2023” në Verona.

“Nëse do të vazhdonim të mos i flisnim njëri-tjetrit e të qëndronim në barrikadat e së shkuarës, sot mund të kishim qenë në një pozicion shumë të keq me të gjitha krizat që janë shpalosur vetëm në kufijtë e Evropës. Natyrisht kemi një mosmarrëveshje të madhe apo një distancë mjaft e madhe kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohia dhe unë e quaj Kosova. Kjo është arsye për të folur më shumë”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, pozita e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndryshuar, duke përmendur edhe hapjen dhe konstruktivitetin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit të fundit me të.

“Edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot. Besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër. Jam takuar me Kurtin para pak ditësh dhe është më i hapur e konstruktiv se më parë”, garantoi Rama.

Ai shtoi se Kosova ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë për të ecur përpara e për të lënë pas krahëve të shkuarën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore