Shqipëria

Morën pjesë në protesta, Qeveria kubane sanksionon 400 shtetas


Qeveria kubane ka sanksionuar 381 persona, për pjesëmarrje në protestat e rralla antiqeveritare në ishull vitin e kaluar.

Mijëra kubanë dolën në rrugët e kryeqytetit Havana dhe qytete të tjera në korrik të 2021-shit në protestë ndaj rritjes së kostove të ushqimit, mungesave mjekësore dhe kushteve të rënda socio-ekonomike, të cilat u përkeqësuan gjatë pandemisë COVID-19.

Nga 381 personat e sanksionuar, gjithsej 297 janë dënuar me nga pesë deri në 25 vjet burg për krimet e kryengritjes, sabotazhit, grabitjes me forcë dhe çrregullimit publik.

Zyra e prokurorit vuri në dukje se 84 individë, përfshirë 15 të rinj, nuk u dënuan me burg.

Megjithatë, ai paralajmëroi se mund të shqiptohen dënime më të ashpra për ata që kanë shkelur sanksionet e tyre, ose janë përfshirë në vepra të reja penale.

Mosha e përgjegjësisë penale të Kubës është 16 vjeç.

“Prokuroria e Përgjithshme vazhdon të informojë publikun për reagimin ligjor ndaj ngjarjeve të 11 korrikut 2021, të cilat sulmuan rendin kushtetues dhe stabilitetin e shtetit tonë socialist”, thuhet në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore