Lajme

Mjeku në Lipjan që gënjeu për EKG-në/ Policia nis hetimet për vdekjen e pacientit


Ilustrim - Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka filluar veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit të vdekjes së 56-vjeçarit M.G. nga komuna e Lipjanit, për të cilin u ngritën dyshimet se nuk i janë ofruar shërbimet mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan.

“Sot kemi pranuar informatën, për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bëhet fjalë për personin: M.G, mashkull, 56 vjeç nga rrethina e Lipjanit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Me të marrë informatën policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit”.

“Me gjithë dyshimet e ngritura, policia me kujdes të shtuar po heton rastin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, thuhet në njoftimin.

Të shtunën e pesë shkurtit mediat publikuan një video ku mjeku Faruk Gashi nuk i ofroi shërbime një pacienti pikërisht me arsyetimin se nuk punon aparaturat mjekësore e cila bënë EKG-në e zemrës.

Ndërsa pacienti nga komuna e Lipjanit, pak kohë pasi dërgohet në QKUK ndërron jetë.

Ndërsa mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Lipjanit, Faruk Gashi, është pezulluar nga puna me vendim të autoriteteve lokale të Lipjanit pasi që ky ka deklaruar rrejshëm se disa aparatura ishin jashtë funksionit në QKMF.

“Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shkelzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm”.

“Pas konstatimit nga Drejtori i QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjek i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

Ndërsa lidhur me rastin Albanian Post ka provuar të kontaktoj me Drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Lipjan, Shkelzen Hajdini, por se i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore