Lajme

MINT cakton marzhën tregtare për naftën


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se pasi ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse ka caktuar marzhën tregtare për produktet e naftës.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë 12 euro centë për litër.

Po ashtu, MINT ka njoftuar se ky vendim hyn në fuqi këtë të martë dhe mbetet në fuqi 90 ditë, derisa mbikëqyrja e zbatimit të këtij vendimi bëhet nga Inspektorati Qendror i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.

“Me këtë rast, MINT njofton se Inspektorati Qendror i Mbikqyrjes së Tregut, ditëve në vijim do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës”.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore