Lajme

Ministrja Nagavci: Nuk kemi të dhëna zyrtare për mohim të së drejtës për shkollim


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka thënë se nuk kanë të dhëna që ndonjë fëmije i është mohuar e drejta për shkollim.

Nagavci në një konferencë për media ka thënë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të pandemisë COVID-19.

“Për ne është e rëndësishëm që secili fëmijë të vijojë shkollimin me rregull dhe pa asnjë kufizim. Nuk kemi të dhëna që ndonjë fëmijë i është mohuar e drejta për shkollim, ka disa raste që fëmijët nuk e kanë vijuar shkollën dhe në këtë linjë ne si institucion e kemi për detyrë që të përdorim të gjitha mjetet që ata të vazhdojnë shkollimin”, është shprehur Nagavci.

Në anën tjetër Kryetarja e Komisionit, Dude Balje, ka theksuar problemin që sipas saj është shumë i qartë ngase mungon ligji për lejimin e një vajze me mbulesë në shkollë.

“Duhet të bisedojmë se a është shamia pjesë e uniformës shkollore. Ne duam që ta specifikojmë më ligj që asnjë vajzë të mos ketë problem”, ka thënë Balje.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka treguar se vetë ajo ka pranuar disa ankesa nga disa vajza që sipas saj, nuk janë lejuar të ndjekin mësimin.

Ajo e ka pyetur ministren Nagavci se sa raste janë evidentuar në Ministrinë e Arsimit, për ndalimin e bartjes së shamive dhe se a do të lejohet lënda fetare në shkollat publike nga kjo ministri.

Për këtë Nagavci ka thënë se problemi për të cilin është diskutuar është mirë e definuar më Kushtetutë dhe me nenet e saj.

“Neni 55 e përmend që të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë mund të kufizohen vetëm më ligj. Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë të vijojë mësimin me rregull. Është e rëndësishme të krijojmë mjedise të sigurta ku të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë. Në këtë mënyrë rekomandohet edhe bartja e uniformës”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Nagavci ka thënë se synimi i saj është sigurimi i të drejtave të barabarta për secilin fëmijë.

“Ne do të angazhohemi që e drejta për shkollim të mos iu mohohet asnjë fëmijë, asnjë vajze”, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka thënë se kjo kërkesë nuk është thirrje për mbulimin e vajzave por është për të drejtën e vijimit të shkollimit në të gjitha shkollat.

“Vajzat duhet të lejohen të shkojnë në shkollë dhe kjo nuk është thirrje që t’i mbulojmë vajzat por ato që tashmë e kanë mbulesën të vijojnë shkollën sepse askush nuk mund të ndalë të drejtën e shkollimit”, ka potencuar Kurti.

Ndërsa sipas deputetit Eman Rrahmani, i gjithë ky diskutim nuk ka të bëjë me çështje fetare por më të drejta të njeriut dhe që sipas tij “përgjegjësia i takon nivelit qendror dhe jo atij lokal”.

“Kjo është një liri e të drejtave të njeriut ku në të gjitha vendet e Evropës nuk është problem. Është kërkuar që ky udhëzim administrativ të ndryshohet. Dhe të largohet kjo pjesë ku po bazohen edhe drejtorët e arsimit në nivelet lokale dhe po bëjnë pengesa në vijimin e shkollimit të këtyre rasteve”, ka thënë Rrahmani.

Tema për të cila u diskutua në këtë mbledhje kishin të bënin me të drejtat e vajzave që të shkojnë në shkollë me mbulesë si dhe çështja e personave të verbër dhe përfshirja e tyre në shkolla.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore