Lajme

Ministrja Gërvalla – pjesë e takimit ministror të Kartës SHBA-Adriatik në Zagreb


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të mërkurën e 24 nëntorit do të jetë pjesë e takimit të Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Adriatik, që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.

Siç njofton ministria, në këtë takim do të diskutohet për proceset euroatlantike në rajon.

“Gjatë këtij takimi do të diskutohet lidhur me sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore me theks të veçantë në proceset euroatlantike në rajon si dhe për bashkëpunimin në kuadër të kësaj karte”, thuhet në njoftim.

Pjesë e këtij takimi do të jenë ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të lartë nga vendet anëtare të Kartës së Adriatikut dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar.

Ndërkaq, më 19 nëntor, ministrja Gërvalla, ishte për vizitë në Kanada, duke e shoqëruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takim i Presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Gjatë qëndrimit në Kanada, realizuan takime me zyrtarë të lartë kanadez dhe përfaqësues të shteteve tjera.

Po ashtu, më 19 shtator, Osmani kishte udhëtuar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shoqëruar po nga ministrja Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore