Shqipëria

Ministrja e Arsimit, mesazh nxënësve në vigjilje të festave: Mos harroni të lexoni!


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, me anë të një video-mesazhi postuar në median sociale “Facebook”, në vigjilje të festave ka uruar nxënësit në Shqipëri.

Fillimisht ajo shprehet e kënaqur, që procesi mësimor në tremujorin e parë të vitit shkollor 2021-2022 “është zhvilluar me prezencë fizike në shkollë për të gjithë”.

Në vijim, Kushi premton se, ashtu si këtë vit, “ku mijëra nxënës po mësojnë në shkolla të reja, më të mëdha më të forta e më të bukura, do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe të tjera, kudo në Shqipëri, gjithçka për ju dhe brezat që do të vijnë, që Shqipëria nesër të zgjohet edhe më e bukur… e që ju të jeni çdo ditë më të buzëqeshur”.

Ndër të tjera, teksa ka uruar nxënësit, nuk ka munguar edhe një këshillë nga ana e saj.

“Krahas argëtimit”, ka vënë theksin ministrja e Arsimit, “mos harroni të lexoni edhe librat që ju kanë sugjeruar mësuesit apo edhe prindërit tuaj. Më besoni, kur jashtë bën ftohtë, bie shi apo dëborë, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shfletosh një libër të bukur.

“Shijojini pushimet, gëzoni, festoni, luani, shëtisni, me familjet, me shokët, edhe me gjyshërit mos harroni”, uron ajo.

Në përmbyllje të fjalës së saj, ka ritheksuar edhe njëherë që vëmendja e nxënësve të kthehet te leximi.

“Kthejeni leximin e librit në një zakon argëtues! Sepse leximi është zakoni më i mirë dhe më i vlefshëm për çdo njeri! Kalofshi pushime të bukura dhe gëzuar festat!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore