Lajme

Ministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi: Kosova shtet sovran, disa në koalicionin qeverisës s’e kanë kuptuar ende


Ministri shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka.

Ministri shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, ka thënë se vendimi i deputetes së Partisë Popullore Demokratike (DNP) – pjesë e koalicionit qeverisë që drejtohet nga Milojko Spajiç – Maja Vukiçeviç, për të mos votuar raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është i “dëmshëm integrimin evropian të shtetit malazez”.

Të mërkurën është miratuar raporti i raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimit të raportit votuan 31 pjesëmarrës, 4 ishin kundër – ndër të cilët edhe Vukiçeviç – dhe një abstenim.

“Vendimi politik i Këshillit të Evropës është i qartë – Kosova është shtet sovran. Këtë vendim e ka marrë edhe Mali i Zi para 15 vitesh, por duket se nuk e kanë kuptuar as disa në koalicionin qeverisës. Vota e lideres së delegacionit tonë në atë institucion evropian jo vetëm që është kundër marrëveshjes së koalicionit, por rrezikon drejtpërdrejt marrjen e IBAR-it [Raporti mbi përmbushjen e standardeve të përkohshme]”, ka thënë Gjeka.

Ai, në një deklaratë për media, ka theksuar se partia që ai udhëheqë si anëtar i koalicionit qeverisës e konsideron këtë veprim “të dëmshëm dhe rrezikues për integrimin evropian të Malit të Zi”.

“Ne presim që anëtarët e tjerë të koalicionit të marrin një vendim të qartë për këtë lëvizje dhe në përputhje me këtë edhe ne do të marrim një vendim”, përfundoi Đeka.

Miratimi i raportit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës raporti i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Kosova kalon suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE. Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas Ahmetit, ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, theksoi ai.

Zëvendësministri i MPJ-së ka njoftuar se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që, sipas tij, tregon se Kosova “duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”.

Miratimi i këtij raporti, i hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit.

Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.

Teksti i opinionit dhe suksesi i sotëm, sipas Ahmetit, “janë rezultate të një pune të pandalshme të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit”, theksoi ai ndër të tjera.

Pas miratimit të raportit të Bakoyannis-it, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se do të vazhdojnë që të punojnë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë aksesin e tyre të ligjshëm në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë në KiE.

Ndryshe, në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohej fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.

“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.

Raporti gjithashtu i rekomandon Këshillit të Ministrave t’i ndajë Kosovës 3 vende në Asamblenë Parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore