Kosova

Ministri serb i Mbrojtjes: Reduktim, jo tërheqje e ushtrisë nga kufiri me Kosovën


Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, ka thënë se reduktimi i numrit të ushtarëve serbë nga vija kufitare me Kosovën, ku ishin dislokuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga 8 mijë e 350 në 4 mijë 500, do të thotë “reduktim”, jo tërheqje.

“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta”, ka thënë Vuçeviç për televizionin serb, TV Prva.

Ai ka theksuar se ushtria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë.

Vuçeviç i ka mohuar akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke “mbledhur njësi” dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj Kosovës.

Ai ka pretenduar se bashkësia ndërkombëtare po “hesht” kur thuhet se 11 për qind e serbëve “janë dëbuar” nga Kosova që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës.

Të martën, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), John Kirby, ka konfirmuar të martën se disa nga trupat e ushtrisë serbe tashmë janë tërhequr nga vija kufitare me Kosovën.

“Që kur kemi deklaruar publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, tashmë kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të qetësuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën”, ka deklaruar Kirby para gazetarëve të pranishëm në Uashington.

Tërheqja e personelit ushtarak serb nga kufiri i Kosovës vjen vetëm një ditë pas konferencës së zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, i cili, derisa ka folur për këtë çështje, ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë mundur ta vërtetojnë se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore