Sport

Milot Rashica zgjidhet lojtari më i mirë i muajit gusht te Norwich City


Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, është zgjedhur lojtari më i mirë i muajit gusht te skuadra e tij, Norwich City.

Sezoni i ri i Premier Ligës angleze nisi në fillim të muajit gusht dhe që nga ajo kohë skuadra e Norwich-it ka zhvilluar tri takime gjithsej.

Për skuadrën e Norwich-it nuk pati nisje pozitive, pasi që në tre ndeshjet e para pësuan humbje nga Liverpool-i, Manchester City dhe Leicester.

Megjithatë, për yllin e Kosovës, Milot Rashica, ky fillim i sezonit ka qenë deri diku pozitiv në aspektin individual.

Ai pati statistika të mira në këto ndeshje, ku luajti për gjithë takimet në 90 minuta, përveç atij me Liverpool-in që ishte prezent për 76 minuta.

Klubi i Norwich City-t, ka postuar një video me sekuencat më të mira të paraqitjeve së Rashicës gjatë këtyre tre ndeshjeve.

Pasi u zgjodh më i miri në skuadër, Miloti foli për mediat, ku ka thënë se ndihet shumë i lumtur për këtë sukses, përkundër fillimit të vështirë të klubit.

“Jam i lumtur dhe e vlerësoj shumë, sepse nuk ka qenë një fillim i lehtë për ne, në çdo ndeshje ne po rritemi së bashku si ekip”, ka thënë Milot Rashica për faqen zyrtare të Norwich-it.

Kujtojmë që Norwich City pagoi 11 milionë euro në arkat e klubit gjerman, Werder Bremen, për të transferuar futbollistin nga Vushtrria gjatë kësaj vere.

Ndërsa, ai karrierën e filloi te klubi Kosova e Vushtrrisë, para se të transferohej në Holandë te skuadra e Vitesse-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore