Lajme

Milatoviç: Zgjedhjet parlamentare të mbahen sa më shpejt


Presidenti i Malit te Zi, Jakov Milatoviç

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, është shprehur këtë të mërkure se “zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen sa më shpejt, dhe shtoi se kjo është shumë e rëndësishme për shtetin malazez, dhe se për të “duhet të bien dakord të gjitha palët”.

Në drejtim të Milatoviç-it, ende pa e marrë mandatin, kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe jo vetëm, i bënë thirrje për ta zhvlerësuar dekretin e presidentit të deritanishëm, Milo Gjukanoviç, për zgjedhjet parlamentare.

Presidenti malazez potencoi se i kishte parë këto thirrje, por siç tha ai “për momentin nuk mund të them asgjë për to”.

“Është e rëndësishme që Mali i Zi të ketë zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo duhet të jetë marrëveshja e të gjitha palëve. Dua të ndaloj praktikën e Gjukanoviç-it, e cila ishte në prag të keqpërdorimit të sistemit. Gjërat duhet të zgjidhen përmes dialogut”, i tha Millatoviç gazetarëve pas një paneli diskutimi.

Dekreti i Gjukanoviç-it, që i ka përcaktuar datën e zgjedhjeve parlamentare me 11 qershor, si i tillë Milatoviç tha se do të zbatohet.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka konkluduar për atë dekret dhe unë si president do të veproj në bazë të ligjit dhe Kushtetutës pas datës 21 maj. Dekreti është në fuqi, kalendari zgjedhor ka nisur të ecë, listat dorëzohen brenda datës 16 maj. Kjo është situata”, shtoi Milatoviç.

Ende pa e marrë mandatin, në drejtim të presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kanë ardhur kërkesa.

Ka filluar kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili i ka kërkuar që të ndryshohet data e zgjedhjeve parlamentare që ishte vendosur nga presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

“Nuk mendoj se është mirë që Gjukanoviç të shkarkojë deputetë në këtë mënyrë, është e papranueshme”, tha Abazoviç, duke iu referuar vendimit të Gjukanoviç-it për shpërndarjen e parlamentit, dhe rrjedhimisht shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kryeministri malazez beson që Milatoviç duhet të zhvlerësojë vendimin e paraardhësit të tij, sa i përket shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Milatoviç, duhet t’i mbledhë të gjithë aktorët politikë dhe së bashku të caktojnë datën e re të zgjedhjeve. Mund të jetë në fund të qershorit, para sezonit”, tha Abazoviç, transmeton media malazeze Vijesti.

E, këtë ai e argumenton duke thënë se “presidenti legjitim dhe deputetët legjitimë” mund të përcaktojnë bashkërisht datën e zgjedhjeve.

Abazoviç i kërkon Milatoviç-it që të anulojë vendimin e Gjukanoviç’it për zgjedhjet parlamentare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore