Lajme

Milanoviç: Ajo që thotë Dodik është ajo që mendon çdo serb në RS


Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë se nuk pajtohet me deklaratat e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, dhe se i ka thënë të qetësohet, porse ka shuar se ajo çka deklaron Dodik, sipas tij, është ajo që e duan të gjithë serbët në RS.

“Nuk jam dakord me atë që thotë Dodik, i thashë të qetësohej. Por kështu mendojnë të gjithë serbët”, tha Milanoviç, duke iu referuar kërcënimeve të Dodik për shkëputje të RS-së nga BeH.

Sipas presidentit kroat, ajo që thotë Dodik “duhet t’i shqetësojë të gjithë”.

“Pothuajse çdo serb në RS mendon kështu. Ky është realiteti. Ata e duan atë siç e donin kroatët në 1991. Nuk na shkon. Por ky është realiteti. Kjo është jeta reale”, pretendoi Milanoviç, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

I pyetur për të komentuar situatën në BeH, Milanoviç ka theksuar se nga njëra anë nuk do të thotë asgjë për Kroacinë, por nga ana tjetër, “gjithçka që ka të bëjë me statusin e kroatëve në Bosnje e Hercegovinë ka të bëjë edhe me Kroacinë”.

Duke folur për fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë mbi territorin e Bosnje e Hercegovinës në ditën antikushtetuese të RS-së, presidenti kroat deklaroi se ata avionë fluturojnë edhe mbi Kroaci dhe askush nuk kërkon asgjë nga kroatët.

“Amerikanët po fluturojnë mbi Kroaci, korridori është i hapur për ta. Ata kalojnë nga Avijani në drejtim të Bosnje e Hercegovinës. Ndërkohë, NATO u largua nga BeH. Tani është një lloj misioni i BE-së. Dhe çfarë ndodhi? Nja dy aeroplanë, supozoj amerikanë, kanë fluturuar mbi Kroaci, në mënyrë rutinore, sepse e kanë rregulluar me dikë në Sarajevë, nuk kanë pse të na pyesin asgjë, kanë fluturuar mbi”.

“Nuk ka ndodhur një herë, ndodh gjithë kohën. Ka pasur një lloj stërvitjeje në BeH dhe gjithçka është e komplikuar atje. Ministri boshnjak e rregulloi vetë gjithçka me NATO-n, ata fluturuan në stërvitjen që duhej të bëhej dy javë më vonë. Por u mbajt në atë ditë fatkeqe të RS për t’ua treguar serbëve”, shtoi.

Pavarësisht nga Dodik, theksoi kreu i Kroacisë, “i cili flet gjithfarëlloj gjërash, këta avionë fluturojnë edhe mbi Kroaci”.

“Mund të hyjnë edhe në Bosnje e Hercegovinë përmes Malit të Zi. Kemi kërkuar të përfshihemi në atë mision Altea sepse jemi anëtare të NATO-s. Kur filloi ai mision, ne nuk ishim as NATO, as BE. Por edhe sot nuk na lejojnë të hyjmë në mision në Bosnje e Hercegovinë. Ne mund të dërgojmë njerëzit tanë në Afganistan”, tha Milanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore