Sport

Milan-i do të tentojë përsëri transferimin e Zaniolo-s


Aventura e Nicolo Zaniolo-s në Turqi mund të zgjasë vetëm disa muaj, pasi që Milan-i dëshiron ta rikthejë atë në Itali, shkruajnë mediat italiane.

Kuqezinjtë ishin shumë afër ta transferonin italianin nga Roma pak muaj më parë, por negociatat mes dy klubeve ngecën dhe Zaniolo u shit përfundimisht te Galatasaray.

Megjithatë, kjo “dashuri” nuk mund të mbarojë, pasi që flitet se kampionët aktual të Italisë do të hidhen përsëri në sulm për 23-vjeçarin.

“Calciomercato” shkruan se drejtori sportiv i kuqezinjve, Paolo Maldini, i kishte thënë Zaniolo-s se përpjekjet për ta transferuar atë nuk do të ndalen.

Gjithashtu edhe vetë futbollisti kishte një dëshirë të madhe të transferohej te Milan-i, pasi prishi raporten me klubin e Romës.

Mediumi i lartcekur madje shkruan se vetë Zaniolo do t’i kërkojë drejtuesve të klubit turk që mos ta aplikojnë një tarifë të lartë ndaj tij, në rast se vjen një interesim nga Milan-i.

Kujtojmë që Zaniolo ishte pjesë e Romës për katër vite e gjysmë (një vit qëndroi jashtë fushave për shkak të lëndimit).

Gjatë kësaj periudhe ai kishte luajtur në 128 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Romës, prej të cilave kishte shënuar 24 gola dhe kishte dhuruar 18 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore