Lajme

Milaçiç: S’ka asnjë arsye për të besuar se Vuçiçi do të heqë dorë nga minimi i Kosovës


Aleksandër Vuçiç

Filip Milaçiç, profesor në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Austri, duke qenë se Serbia aktualisht ndodhet në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit populist, u shpreh skeptik nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do t’i normalizojë ndonjëherë marrëdhëniet me shtetet fqinje një rajon, posaçërisht me Kosovën.

Në një artikull të fundit, profesori malazez shkroi se presidenti serb e ka shndërruar në mjet politik dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që i shërben kryesisht për ta mbajtur pushtetin, ndërsa nuk do të heqë dorë nga e ashtuquajtura çështje e Kosovës derisa ekzistojnë indikacione se ai do të ruajë “stabilokracinë” në Serbi për një kohë të gjatë.

“S’ka asnjë arsye për të besuar se Vuçiçi do të heqë dorë nga mjeti më i mirë politik duke zgjidhur çështjen e Kosovës. Ajo i shërbeu si një pretekst për përmbysjen e demokracisë – për mohimin e të drejtave kushtetuese dhe personalizimin e pushtetit në mënyrë që ai të mund të ‘shpëtojë kombin’ duke përçmuar kritikët demokratë të regjimit si tradhtarë”, shkroi Milaçiç.

Ai përmendi edhe mënyrën se si Vuçiçi vendosi të njohë targat kosovare të automjeteve që sipas studiuesit malazez, vetëm kishte për qëllim të qetësonte kritikat e bashkësisë së organizuar perëndimore për manipulimin zgjedhor – një shembull se si presidenti serb manipulon çështjen e Kosovës për përfitime politike, madje herë-herë duke nxitur edhe tensione.

“Vuçiç nuk është i vetmi lider ballkanik me mendësi autoritare. Nëse ai arrin të autokratizojë më tej Serbinë, kjo do të prekte të gjithë Ballkanin Perëndimor, një rajon me demokraci të brishta që janë përkeqësuar, ose thënë më së miri, kanë stagnuar vitet e fundit. Autokratë të tjerë aspirantë në rajon i kushtojnë vëmendje të madhe tani”, shkroi Milaçiç mes tjerash.

E perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, duke u përmbajtur nga minimi i shteteve fqinje. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore