Bota

Mikpritja nuk është shqip, por shqiptare


Një ngjarje aspak e këndshme është regjistruar në Aeroportin e Birmingham-it, ku refugjatë afganë janë detyruar të presin tetë orë “pa ushqim” në aeroplan.

Fahim Zazai, themeluesi i Qendrës së Komunitetit Afgan dhe Mirëqenies, mori një telefonatë nga një prej pasagjerëve në aeroplan, i cili i tha atij se refugjatët nuk kanë marrë asnjë ushqim nga ora 12 e mëngjesit deri në orën 8 pasdite.

Kjo, gjatë pritjes së tyre të gjatë në pistë, ku askush nuk iu dha një shpjegim pse ata nuk mund të zbresin nga avioni gjatë gjithë asaj kohe.

Pasagjeri më vonë thirri Zazai-n për të konfirmuar se ai dhe pasagjerët e tjerë, përfshirë shumë fëmijë të vegjël, ishin lënë jashtë avionit, por do të kalonin natën brenda Aeroportit të Birmingham-it.

Ai shtoi gjithashtu se pasagjerëve iu tha pasi ishin larguar nga avioni se arsyeja e pritjes së tyre të gjatë ishte për shkak të procedurës së gjatë të përpunimit të detajeve të refugjatëve nga katër fluturime të tjera që ishin ulur në aeroport para tyre.

Në pamjet e publikuara në Twitter, shihen afganët që kanë mbërritur në Aeroportin Dulles të Washington-it dhe gjenden të shtrirë apo duke fjetur në stolat e pritjes.

Shqipëri

Për të dëshmuar se mikpritja është shqiptare, mjafton të shohësh angazhimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, me valixhet e afganëve në duar, duke ndihmuar gratë e moshuara që të zbresin shkallët e aeroplanit.

Fluturimet e para që kanë mbërritur në hapësirën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja Kim.

Gazetari i cili punon në Stamboll, Elis Gjevori, ka përforcuar edhe më shumë këtë dallim të madh midis trajtimit të afganëve në SHBA dhe Britani krahasuar me Shqipërinë.

“Shumë prej afganëve me të cilët fola në Shqipëri u mahnitën nga shpejtësia me të cilën u dërguan nga aeroporti në akomodimin e tyre të përkohshëm. Autobusët ishin duke pritur/gati për të lëvizur. Pasaportat/dokumentet janë bërë të nesërmen”, shkruan Gjevori në statusin e tij.

Në orët e para të mëngjesit së 29 gushtit, në Shqipëri kanë mbërritur dy avionë të tjerë të nisur nga Kabuli.

Avioni i parë mbërriti në aeroportin e Rinasit me 154 pasagjerë, ku 108 prej tyre u vendosën ne konviktet e qytetit Studenti, dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Fill pas kësaj ka mbërritur edhe avioni i pestë nga Afganistani brenda 72 orëve me 28 persona në bord.

Afganët u pritën në ambientet e aeroportit nga zëvendësministrja e Jashtme, Megi Fino.

Deri më tani në Shqipëri po strehohen 457 qytetarë afganë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore