Film

Michael J Fox i përlot njerëzit me paraqitjen surprizë në Baftas


Michael J Fox, i cili po jeton me sëmundjen e Parkinsonit, ka bërë një paraqitje surprizë në Baftas për të dhënë çmimin e filmit më të mirë.

Aktori 62-vjeçar doli në skenë në një karrige me rrota, por këmbënguli të ngrihej në podium për t’i dhënë çmimin Oppenheimer-it të Christopher Nolan.

Ai mori shumë reagime për këtë gjest, me shumë përdorues të mediave sociale që postuan se ishin ndër lotë duke e parë atë në skenë.

Ai u diagnostikua në vitet 1990 dhe rrallë del në publik.

Filmi i Davis Guggenheim, Still: A Michael J Fox Movie, u nominua për dokumentarin më të mirë, por humbi në 20 Days In Mariupol.

Duke prezantuar aktorin kanadezo-amerikan në skenë në Royal Festival Hall në Londër, pritësi i Bafta-s, David Tennant e përshkroi atë si një “legjendë të vërtetë të kinemasë”.

Kur prezantoi të nominuarit për filmin më të mirë, Fox e përshkroi kinemanë si magji që mund të “të ndryshojë jetën”.

“Pesë filma u nominuan në këtë kategori sonte dhe të pesë kanë diçka të përbashkët. Ata janë më të mirët e asaj që ne bëjmë”, ka thënë ai.

Filmi, sipas tij, i bashkon njerëzit “pa marrë parasysh se kush jeni apo nga jeni”.

“Ka një arsye pse ata thonë se filmat janë magji, sepse filmat mund të ndryshojnë ditën tuaj”.

“Mund të ndryshojnë pikëpamjen tuaj. Ndonjëherë mund të ndryshojnë jetën tuaj”.

Përdoruesit e mediave sociale reaguan shpejt ndaj paraqitjes së Fox, duke thënë se ishin “mes lotësh” në minutën kur doli në skenë.

“Ai është një legjendë dhe një njeri i mrekullueshëm”, ka shkruar një tjetër.

Fox themeloi Fondacionin Michael J Fox për Kërkimet e Parkinsonit në vitin 2000. Fondacioni ka mbledhur më shumë se 1.58 miliardë paund.

Sëmundja e Parkinsonit, një gjendje në të cilën pjesë të trurit dëmtohen në mënyrë progresive gjatë shumë viteve, prek rreth 128 mijë njerëz në Angli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore