Shqipëria

 Meta e quan Berishën “President të përgjithshëm”: Tani që është në fushë, gjërat kanë ndryshuar


“Çfarë të bënim kur Sali Berisha, ose siç e quaj unë, Presidenti i Përgjithshëm, qëndronte në pankinë. Por, tani që ka dalë në fushën e lojës, gjërat kanë ndryshuar”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka këtë mendim mbi ish-kryeministrin dhe ish-kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe rolin që ai po merr sërish në sferën politike shqiptare pas rreth tetë vjetësh “pasivitet politik”.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews, Meta vendosi të komentojë mbi situatën e krijuar së fundmi, ku akuzat kryesore kanë shkuar drejt kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Këta të fundit, Meta i akuzon se janë në një aleancë të qartë së bashku. Aleancë, e cila po e dëmton Shqipërinë, pasi po e lë pa një opozitë reale.

Nga ana tjetër, akuza ka pasur nga ana e zyrtarëve të PD-së – kryesisht nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Barshi – se Meta, me dekretimin e 6 marsit si datë e zgjedhjeve të pjesshme lokale, e ka favorizuar Berishën për të marrë pjesë në to.

Gjithsesi, mbi këto pretendime, Meta i anashkaloi duke replikuar se në pozicionin e tij, ai i “ka bërë ndere demokratëve”, duke i plotësuar kërkesat për zgjedhje të mëparshme.

Një reagim, Meta e ka pasur edhe mbi çështjen midis kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe kreut të Federatës së Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Këta dy të fundit, janë përfshirë në replika të vazhdueshme, për sa i përket zgjedhjeve në FSHF më 2 mars.

Sipas Metës, Veliaj ka nën kontroll SPAK-un dhe Prokurorinë. Ndërsa, kryebashkiakun, e ka akuzuar se është ndërtues i kullave në Tiranë.

Nga vetë ana e Bashkisë, janë bërë akuza të mëparshme mbi Dukën se Meta dhe Berisha, janë mbështetës të tij në rrugëtimin 20-vjeçar në krye të federatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore