Shqipëria

Meta dekreton protokollin e anëtarësimit të Finlandës e Suedisë në NATO


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje dy ligje të kaluara nga Kuvendi i Shqipëria, në të cilat ratifikohet protokolli i Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO”, shkruhet në njoftimin për shtyp.

Më tej, arsyetimi i kreut të shtetit, vijon duke theksuar se anëtarësimi i vendeve mike është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, të cilin Shqipëria e mbështet në çdo hap.

“Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë. Së bashku qëndrojmë më të fortë!”, e ka përmbyllur presidenti njoftimin për shtyp.

Miratimi i protokolleve u votëbesua më 7 korrik në Parlamentin e Shqipërisë, me një vendim unanim, ku 114 vota nga 114 deputetë pjesëmarrës në seancën plenare, ishin pro aderimit të dy vendeve nordike në NATO.

Ky vendim është pritur me duartrokitje jo vetëm nga deputetët në sallë, por edhe nga ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastaad, e cila ishte e pranishme në sallë gjatë votimit.

Sipas argumentimit nga të dy palët, si demokratët edhe socialistët, integrimi aktiv i dy vendeve nordike në NATO, do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në kontinentin evropian, si edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për anëtarësim në NATO pas agresionit rus në Ukrainë, duke hequr kështu dorë nga neutraliteti i tyre.

Nga vetë strukturat e aleancës, vendimi është mirëpritur dhe është theksuar se do të bëhet integrimi i tyre i plotë sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore