Sport

Mesjava e parë e sezonit në La Liga


La Liga nuk ndalet as edhe për një ditë për fillimin e javës së gjashtë.

Me ndeshjen Barcelona – Granada u mbyll java e pestë të hënën, ndërsa të martën tre ndeshje çelin javën e gjashtë.

Të parët në aksion vijnë kampionët e Atletico Madrid-it, që vizitojnë Getafe-n për derbin e vogël madrilen.

Për vendasit, ky sezon ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Nga pesë ndeshje deri tani, Getafe ka humbur të gjitha, duke qenë e fundit në tabelë bashkë me Alaves.

Humbja e Bordalas i ka kushtuar shumë Getafe-s, të cilët nuk po arrijnë të gjejnë formën e viteve të fundit.

Përballë Atletico-s që gaboi të shtunën, ata do të kërkojnë pikët e para këtë sezon.

Në ndeshjen që fillon në orën 19:45, luhet për dy synime të ndryshme, ikjen nga zona e ftohtë dhe ngjitjen në krye.

Përveç kampionëve, në fushë zbresin edhe katër skuadra, me dy ndeshje që fillojnë në orën 22:00.

Athletic Bilbao e cila ende nuk njeh humbje në La Liga, përballet me Rayo Vallecano-n e fitoreve impresive.

Në “San Mames”, dy skuadrat synojnë ngjitjen në zonën Champions, pas një fillim të sezonit pozitiv.

Sa i përket ndeshjes tjetër, dy skuadra që ende nuk njohin për fitore në këtë sezon, Levante dhe Celta Vigo përballen me njëra-tjetrën.

Levante ka katër barazime e një humbje, derisa Celta ka një barazim e katër humbje dhe gjendet në zonën e ftohtë.

Këto tre ndeshje çelin javën e gjashtë, me shtatë të tjera që luhen të mërkurën dhe të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore