Kosova

Mes të shkuarës dhe të ardhmes


Për herë të parë pas 22 vjetësh, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të shtunën e 3 korrikut, mund ta zgjedhë për kryetar të saj dikë që nuk vjen nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Zgjedhjet e brendshme i janë imponuar pas arrestimit të kryetarit Kadri Veseli, nga Gjykata Speciale. Për pasojë, partia do të funksiononte me ushtrues të detyrës, Enver Hoxhajn.

Pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme, u paraqit vetëm një kandidaturë – ajo e Memli Krasniqit.

Krasniqi i takon brezit të ri të politikanëve, por ka një karrierë të gjatë në PDK. Nga viti 2004 është pjesë e saj, në pozicione dhe angazhime të ndryshe. Tani ai është kandidat, pa konkurrent, për kryetar të partisë.

Për opinionistin Shkodran Ramadani, kandidatura e Krasniqit është e tillë jo për shkak të ndonjë konsensusi të brendshëm, por për shkak të tërheqjes së kanidaturave tjera potenciale, pas prezantimit të asaj të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Nuk ka pasur ndonjë qëllim për ta ruajtur kohezionin e partisë. Krasniqi ka mbetur i vetëm për shkak që kandidatët e tjerë që njëherësh janë përfolur si kandidat të mundshëm, në fund kanë hequr dorë prej kandidimit, dikush për arsye strategjike, dikush për shkak që nuk ka guxuar të dalë dhe të ballafaqohet”, deklaron Ramadani, për Albanian Post.

Figurë ideale për ta marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë moment dhe për ta udhëhequr kah e ardhmja e vlerëson Memli Krasniqin, opinionisti Fitim Salihu.

Fitim Salihu, Opinionist

“Është edhe i ri në moshë edhe me përvojë në politikë. Si i tillë, ai është një viadukt mes gjeneratës së vjetër dhe asaj të re brenda PDK-së. Kam besim që nëse zgjedhet kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi do ta dinamizojë partinë dhe do t’ia jap një pamje të re në rolin e partisë më të madhe opozitare”, shton ai.

Ndërkaq, Ramadani konsideron se tërheqja në moment të fundit e Enver Hoxhajt nga kandidatura e cila është pritur të ndodhë, dhe nga ana tjetër shtyrja e kandidaturës për pas dy vitesh e Vlora Çitakut nuk e cenojnë dimensionin demokratik të procesit.

Shkodran Ramadani, Opinionist

Ai vlerëson se kjo që po ndodh “nuk është thjeshtë një fazë e sajuar prej PDK-së, por gjithashtu nuk është as aq optimale sa do të kishin dëshiruar njerëzit brenda asaj partie”.

Çështje të brendshme të partisë, e vlerëson zgjedhjen e liderit të cilitdo subjekt politik, drejtori i Programeve në Demokraci Plus, Albert Krasniqi.

“Përgjithësisht, partitë politike i përcaktojnë vet rregullat e zgjedhjes së liderit. Disa parti politike e bëjnë zgjedhjen e liderit në mënyrë të drejtpërdrejtë prej anëtarësisë, kurse disa të tjera e bëjnë zgjedhjen e liderit prej kuvendeve zgjedhore. Që të dy këto procese janë demokratike, por që dallojnë për nga shkalla e centralizimit të vendimmarrjes”, thotë Krasniqi, për Albanian Post.

Rrjedhimisht, sipas tij, as rezultatet zgjedhore nuk janë përcaktuese për numrin e kandidatëve të cilët kanë ambicie për të udhëhequr me partinë, dhe as numri i kandidatëve nuk është treguesi më i saktë për nivelin e demokracisë së brendshme partiake.

Albert Krasniqi, drejtor i Projekteve, Demokraci Plus

Madje, ai vlerëson se, për shkak të mungesës së një tradite më të gjatë demokratike në vend, kur partitë politike ballafaqohen me një garë me më shumë kandidatë, ekziston rreziku i përçarjes së partisë.

“Pala humbëse në shenjë të pakënaqësisë mund të largohet, apo që pala fituese të ndëshkojë palën tjetër. Besojë që vendimi joformal i strukturave drejtuese të PDK-së për të shkuar vetëm me një kandidatë është udhëhequr nga kjo ide, që të ruaj homogjenitetin e partisë dhe të evitojë përçarjet e brendshme”.

Megjithëse ushtruesin e dorëhequr të kryetarit të PDK-së e ka vlerësuar për punën në ruajtjen e “homogjenitetit të brendshëm”, Krasniqi, për Albanian Post, thotë se Hoxhaj u vonua në deklarimin nëse do të jetë apo jo pjesë e garës për kryetar të partisë.“

“Do të ishte më mirë për vet z.Hoxhaj dhe PDK-në, që vendimin për moskandidim ta merrte qysh me rastin e shpalljes së njoftimit për zgjedhje të brendshme, dhe jo pas paraqitjes publike të kandidaturës së z.Memli Krasniqi”.

Ndërkaq, opinionisti Ramadani vlerëson se vonesa e Hoxhajt lidhet me pritjet që ka pasur ai që askush tjetër nuk do të kandidojë për kryetar të partisë dhe se ai do të jetë kandidati i vetëm në garë.

Hoxhaj sipas Ramadanit, e ka dëshpëruar një pjesë të elektoratit të PDK-së me moskandidim gjë që do ta penalizojë. “Ai, si deputet, do ta ketë fjalën në Kuvend, dhe besoj që nuk do ta ndjek në mënyrë të plotë linjën që do ta përcaktoj udhëheqësia e re me Memli Krasniqin. Ai do të jetë më i pavarur pak a shumë ndoshta si zotëri Xhavit Haliti, i cili po shohim se është shumë sporadik dhe spontan në deklaratat dhe qëndrimet e tij të cilat jo çdoherë kanë qenë në përputhje me qëndrimin zyrtarë të partisë”, sqaron Ramadani.

Ani pse e vlerëson si figurë optimale për ta marrë kreun e partisë, opinionisti Ramadani nënvizon se “kjo nuk do të thotë që të gjithë politikanët me përvojë senior do ta ndjekin atë hap pas hapi, për shkak se zgjedhja e tij mund ta ketë zhgënjyer dikë dhe mund të krijojë mospajtime në të ardhmen”.

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, PDK-ja mund të bëhet partia e dytë e madhe në Kosovë që në krye të saj ka një lider të gjeneratës së re të politikanëve kosovarë. Këtë po e kërkon elektorati në Kosovë, sipas Albert Krasniqit.

“Rivalët politikë të PDK-së, LVV dhe LDK, tashmë i janë përgjigjur kërkesave të elektoratit duke bërë zgjedhjen e liderëve të tyre. Është domosdoshmëri që edhe PDK-ja ta bëjë këtë për të qenë në hap me rivalët e saj. Z.Memli Krasniqi është një kandidat që i plotëson kriteret për të ruajtur përkrahjen e votuesve ekzistues dhe synuar marrjen e përkrahjes edhe të votuesve të rinj. Po ashtu, ai është një kandidatë i cili mund të përballet me z.Kurti dhe z.Abdixhiku”.

Madje, pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së dhe me shumë gjasë tani Memli Krasniqit në krye të PDK-së, nga partitë e mëdha, vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka për kryetar themeluesin e saj.

“Arsyeja pse Albin Kurti është kryetar i vjetër dhe ka me qenë edhe për shumë kohë i tillë është ndryshe prej arsyes për shkak të cilës për shembull Ramush Haradinaj është kryetar i AAK-së. VV-ja e ka një kryetar, nuk ka nevojë me ndërrua për shkak se ai ka fitua bindshëm zgjedhjet. Ndërkohë AAK-ja nuk mundet me gjet zëvendësues,  pasardhës sepse është parti e pa-reformushme. Në anën tjetër PDK dhe LDK përfaqësojnë konstituenca shumë më të mëdha elektorale sesa AAK-ja”.

Tutje Ramadani konsideron se këto dy subjekte politike (PDK dhe LDK) nuk janë as si VV-ja dhe se për to ndryshimet ishin një domosdoshmëri.

Mirëpo, në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se ndryshimet iu imponuan dhe se nuk hynë në zgjedhje me vullnetin e tyre. Fehmi Mujota, anëtar i Këshillit Organizativ të Konventës së X-të Zgjedhore të PDK-së, thotë se burgosja e liderit të partisë nga Gjykata Speciale ua diktoi zgjedhjet e brendshme.

“PDK hyn për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme për PDK-në, por jo vetëm kaq, por edhe për Kosovën sepse janë arrestuar përkatësisht, janë thirrur në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë”.

Asambleisti i PDK'së në Shtime Fehmi Mujota bëhet zëvendësministër i Qeverisë Haradinaj - Periskopi
Fehmi Mujota nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Për Albanian Post, ai ka deklaruar se për PDK-në “megjithëse kryetari i partisë është në Hagë, ky mandat është i plotë për secilin delegat të PDK-së”.

Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn, Mujota ka thënë se ai ka qenë kandidat dhe njeri i besueshëm i Kadri Veselit, për ta drejtuar partinë “derisa kryesia nuk ka marrë një vendim për të shkuar me një Konventë të jashtëzakonshme”.

Mujota konsideron se gara për të parin e PDK-së ka qenë e hapur, transparente dhe demokratike dhe se ajo është mirëpritur brenda subjektit politik.

“E kemi mirëpritur garën e hapur. Si anëtar i komisionit që kamë qenë, jemi shumë të kënaqur që Memli Krasniqi ka ofruar kandidaturën e tij. Kemi pritur që të ketë edhe kandidatura të tjera. I gjithë publiku ka pritur që kandidat do të jetë edhe Enver Hoxhaj”.

Ai nënvizon se pavarësisht se nuk ka kandidat të tjerë për të parin e partisë, gara ka qenë e hapur dhe si e tillë ka qenë një mundësi “për të gjithë, por që nuk ka pas kandidatura të tjera vetëm një mendoj se është një punë e peshuar brenda strukturës së PDK-së”.

Memli Krasniqin,  Mujota e quan politikan “i rritur në kabinetin e Hashim Thaçit” dhe megjithëse akoma i ri në moshë, vlerëson se ka karrierë të gjatë politike.

“Është i përshtatur me të kaluarën e partisë, të tashmen dhe të ardhmen e saj. Besoj që është një kuadër i duhur në kohën e duhur”, ka përfunduar Mujota për Albanian Post.

Logoja zyrtare e Konventës së dhjetë të PDK-së
Trajektorja e PDK-së

PDK u themelua pas përfundimit të luftës përkatësisht me 10 tetor të viti 1999 nga udhëheqës të UÇK-së, një pjesë e madhe e të cilëve deri asokohe ishin aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). PDK konsiderohet si trashëgimtare e strukturave politike të UÇK-së dhe LPK-së.

Në themelim PDK e kishte emrin “Partia për Progres Demokratik e Kosovës”, por më vonë pësoi ndryshime duke eliminuar “Progresin” për të mbetur vetëm si Partia Demokratike e Kosovës.

Në Konventën e parë, për kryetar kishte zgjedhur ish liderin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin. Ai mbeti lider i këtij subjekti politik deri në Konventën e Jashtëzakonshme e cila njihet si Konventa e shtatë, ku delegatët e këtij subjekti politik zgjedhin Kadri Veselin për kryetar të partisë. Zgjedhja e tij ishte bërë me votim të fshehur nga rreth 700 delegatë.

Edhe Veseli ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së, por që në politikë ishte futur disa vite më vonë. Në garën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka qenë kandidati i vetëm ashtu siç do të jetë i vetmi kandidat edhe Memli Krasniqi në Konventën e dhjetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore