Shqipëria

Mes kaosit dhe tymuesve miratohet buxheti i vitit 2024


U deshën më pak se 10 minuta që ligjvënësit e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votonin nen për nen projekt-buxhetin për vitin 2024.

Edhe pse disa deputetë të opozitës krijuar kaos që pa nisur seanca, kjo nuk e pengoi mazhorancën që t’i miratonte nenet.

Në seancë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përjashtoi deputetin Asllan Dogjani.

I pranishëm në këtë seancë kaotike ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm 6 deputetë të opozitës, pasi u përjashtuan për 10 ditë për shkak të kaosit të krijuar në seancën e 4 dhjetorit.

Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti nuk do të lejohen të futen në seancë.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro dhe 2 kundër projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar”.

Po ashtu mazhoranca miratoi me 75 vota pro 3 dhe kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Gjithashtu u miratua me 75 vota pro dhe 4 kundër projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Çfarë parashikon buxheti?

Buxheti i vitit 2024 parashikon 735.9 miliardë lekë shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60 për qind.

Referuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synimi i këtij buxheti është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të vijimit të reformave të nisura për ta afruar vendin më pranë integrimit në Bashkimin Evropian.

Rritja ekonomike parashikohet 3.8 për qind ndërsa në periudhën afatmesme parashikohet një rritje mesatare vjetore prej rreth 4 për qind.

Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8 për qind të PBB-së, nga 27 për qind që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.

Sakaq, rritja bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Ndërkohë projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Kurse financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3 për qind e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe ndërlidhjen, si edhe duke nxitur punësimin.

Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të turizmit.

Po ashtu përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë.

Shpenzimet për qeverisjen vendore janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4 për qind në raport me buxhetin e vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore