Sport

Menaxheri italian bën ofertë për blerjen e klubit të Gjilanit


Menaxheri i futbollit nga Italia, Andrea D’Amico, gjendet në Kosovë, ku është i interesuar për të investuar në futbollin kosovar.

Sipas asaj që raportohet, D’Amico është i interesuar për ta blerë klubin e Gjilanit, ku thuhet se ka ofruar 1.3 milionë euro.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, ku italiani ishte në vizitë.

“D’Amico e njoftoi presidentin Ademi se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është interesimi ndaj klubit SC Gjilani, me zyrtarët e të cilit veçse ka biseduar gjatë ditës së djeshme, e po ashtu identifikimi i talentëve kosovarë dhe mundësia që futbollistët tanë të transferohen në klubet evropiane”, shkruan FFK.

Presidenti Ademi e falënderoi menaxherin Andrea D’Amico për interesimin ndaj futbollit dhe futbollistëve tanë, teksa e njoftoi atë se futbolli kosovar vitet e fundit ka shënuar progres, pasiqë po zhvillohet me hapa të shpejtë, të sigurt dhe të suksesshëm.

Kujtojmë që me 18 korrik të këtij viti, kryesia e klubit të Gjilanit kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme, duke ftuar investitorë tjerë për ta blerë klubin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore