Shqipëria

Mega-operacioni “DOBRA”, Spanjë-Gjermani-Shqipëri/ 107 të arrestuar në fushën e drogës


Nga policia e Spanjës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, është kryer një mega-operacion i përbashkët i koduar “DOBRA”, kundër krimit të organizuar në fushën e drogës.

Në kuadër të këtij operacioni, i cili u mbështet nga EUROPOL, më 13 korrik u godit një grup kriminal. 107 persona të dyshuar u arrestuan si të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Nga EUROPOL, u njoftua se, një pjesë e të arrestuarve nga ky grup kriminal ishin shqiptarë, spanjollë, sllovenë dhe grekë.

Grupi kriminal besohet se po menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë, ku kultivonin dhe përpunonin marihuanën, para se të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor, Ardi Veliu, që ndodhet në Madrid, Spanjë, në një konferencë për shtyp ka prezantuar rezultatet e këtij operacioni.

Në vijim të operacionit, Veliu bëri me dije se u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari.

Po ashtu u asgjësuan rreth 25 mijë bimë narkotike kanabis dhe u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh dhe shuma prej 68 mijë e 760 euro.

Veliu në konferencë theksoi faktin se do të hetohet pasuria e të gjithë anëtarëve shqiptarë të bandës.

“Policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por edhe një partner i besueshëm për agjencitë e zbatimit të ligjit”, vijoi Veliu.

Në përfundim, Veliu tha se, “nuk do të mjaftohemi me ndalimin e operacionit në këtë stad”.

Ky grup kriminal i organizuar me bazë klani ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht.

Disa nga anëtarët e tij të arrestuar kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.

Kriminelët po devijonin furnizimin me energji elektrike për të kultivuar ilegalisht bimët në ambiente të mbyllura.

Është vlerësuar se energjia elektrike e vjedhur arrin në mbi 1.6 milionë euro në të ardhura të humbura të shërbimeve.

EUROPOL e mbështeti këtë hetim, duke ofruar ekspertizë të përshtatur dhe mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta.

Tre hetues shqiptarë u vendosën në Spanjë, në kuadër të Projektit IPA2019, që synonte të luftonte krimin e organizuar serioz në Ballkanin Perëndimor.

Përveç Shqipërisë, të angazhuar ishin Policia Kombëtare, Policia Rajonale Catalan-ase, Zyra e hetimit doganor të Berlin-Brandenburg Zollfahndungsamt Berlin-Brandenburg dhe nga EUROPOL, Qendra Evropiane e Krimit të Organizuar Serioz.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore