Lajme

Mediat norvegjeze: Biden i kërkoi Stoltenberg-ut të qëndrojë në postin e tij edhe për një vit


Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg që të qëndrojë në detyrë edhe për një vit, njoftuan mediat norvegjeze të premten.

I emëruar më 1 tetor 2014 për një mandat katërvjeçar, Jens Stoltenberg, 64 vjeç, ka kryer tashmë dy mandate dhe mandati i tij aktual është shtyrë deri më 30 shtator 2023.

31 vendet anëtare të Aleancës janë në kërkim të një pasardhësi, por nuk arrijnë të gjejnë një konsensus thelbësor për një kandidat.

Sipas dy mediave norvegjeze, transmetuesit publik NRK dhe gazetës Dagens Naeringsliv (DN), duke cituar burime të paidentifikuara, kjo kërkon një rinovim të ri të Jens Stoltenberg deri në një samit të planifikuar në Washington vitin e ardhshëm, i cili do të shënojë 75-vjetorin e Aleancës.

“Lufta në Ukrainë dhe anëtarësimi ende i papërfunduar i Suedisë (në NATO) janë argumente të forta për të mos ndryshuar tani sekretarin e përgjithshëm”, shkruan DN-ja.

Sipas këtyre mediave, Joe Biden, vendi i të cilit ka një votë vendimtare për këtë çështje, për këtë arsye gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë këtë javë ka kërkuar që Jens Stoltenberg të qëndrojë në detyrë, gjë që ai do ta kishte refuzuar për herë të parë në shkurt.

Të martën, “shteti më i fuqishëm në Aleancë ishte edhe më i qartë: këtë herë presidenti amerikan nuk do të pranojë një jo”, saktëson DN.

Jens Stoltenberg ka zgjedhur gjithmonë një formulim mjaft të paqartë për të mos e mbyllur derën plotësisht.

“Nuk kam ndërmend të kërkoj zgjatje” të mandatit, përsëriti ai të premten në Bruksel, pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

Ky informacion konfirmon deklaratat e zyrtarëve të Aleancës, sipas të cilëve NATO po shkon drejt rinovimit të norvegjezit.

Duke qenë ndër favoritët, kryeministrja daneze Mette Fredriksen do të ishte jashtë garës në këtë fazë, por ajo mund të marrë drejtimin vitin e ardhshëm, specifikon DN-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore