Lajme

Më shumë se një e treta e qytetarëve serbë i shohin ShBA-të si armik


Flamuri i ShBA-se dhe Serbise

Më shumë se një e treta e qytetarëve serbë, më saktësisht 39 për qind, i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) si armik.

Këto të dhëna janë paraqitur nga hulumtimi që është bërë nga Instituti për Çështje Evropiane në Serbi.

Anketa, e cila është realizuar nga 11 deri më 29 maj të këtij viti, është realizuar në një mostër prej 1200 të anketuarve në territorin e Serbisë.

Për përmirësimin e marrëdhënieve me ShBA-në, shumica e të anketuarve e shohin rolin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa një përqindje më e vogël përmend ministrin e Punëve të Jashtme Ivica Daçiç.

Pothuajse gjysma e qytetarëve serbë thonë se është e rëndësishme që Serbia të ketë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Amerikën, duke theksuar rritjen e lehtë të rëndësisë së marrëdhënieve me ShBA-në në krahasim me anketat e mëparshme.

Sipas të anketuarve, vizita e presidentit amerikan Joe Biden nuk do të përmirësonte ndjeshëm marrëdhëniet, ndërsa zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) shquhen si faktorë kyç për përmirësim të këtyre raporteve.

Shumica e qytetarëve janë skeptikë për përmirësimin e marrëdhënieve në të ardhmen dhe vlerësimi mesatar është më afër vlerësimit “mjaftueshëm”. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë qytetarët i vlerësojnë me tre pikë. Në shkallën nga një deri në pesë, marrëdhëniet mes dy vendeve u vlerësuan me notën mesatare 2.49.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore