Shqipëria

Më shumë se 2 mijë të rinj janë regjistruar në Programin e Kodimit


Programi i Kodimit për të rinjtë ka rezultuar i suksesshëm edhe pse kanë kaluar pak muaj nga nisja e tij në fillim të vitit.

I hapur në janar të këtij viti, deri tani kanë aplikuar 2 mijë e 902 të rinj, njoftoi ATSH-ja duke cituar Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Kjo e fundit, bëri të ditur se Programi i Kodimit ndihmon të rinjtë synojnë të orientojnë karrierën e tyre në profile të sigurta për të ardhmen në tregun e punës.

Programi i Kodimit, i njohur ndryshe edhe si Programi i Formimit Profesional, po zbatohet për herë të parë dhe i shërben vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit.

Kjo, përmes të rinjve, që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët.

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 për qind të kostos, ndërsa për disa kategori më të cenueshme shkon deri në 100 për qind.

Me fillimin e vitit të ri shkollor nisi edhe zbatimi i kurikulës së kodimit në klasa të para, në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit që janë të pajisura me laborator të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe drejtoreshën e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Inovacionit, Romina Kostani, të cilët e prezantuan këtë risi.

Testimi i tij do të nisë përgjatë tre viteve shkollore të para deri në zgjerimin e projektit në nivel kombëtar, e cila është konfirmuar që me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe AADF-së, në maj të vitit të kaluar, për krijimin e 100 laboratorëve SMART.

Ky program do të zbatohet nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me AADF-në, të cilët do të sigurojnë që të gjithë njohuritë që përfshihen si pjesë e kurikulës, që të jenë në linjë me kërkesat e një tregu gjithmonë e në zhvillim.

Ndërsa synon që fëmijët të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të përdorur teknologjinë në mënyrë kuptimplotë dhe produktive, jo thjesht përdorues pasiv.

Programi i kodimit përveç subvencionimit do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës.

Kjo, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës, si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

Kuptimi i bazave të kodimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore