Lajme

Më në fund, SHBA-të do ta njohin si gjenocid atë që shteti i Mianamarit po i bën komunitetit mysliman


Refugjatët myslimanë të Mianamarit në Bangladesh

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka ndërmend ta njohë represionin e shtetit të Mianamarit (Burmas) ndaj komunitetit mysliman të Rohingya-s si gjenocid, ka thënë një zyrtar amerikan, shkruan The Guardian.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do ta shpallë vendimin këtë të hënë, në eventin që mbahet në Muzeun e SHBA-ve për viktimat e Holokaustit, thotë po i njëjti zyrtar amerikan që ka folur në kushte të anonimitetit, meqë ky qëndrim ende nuk është bërë zyrtar.

Ky vendim vjen pas një numri të madh të sanksioneve që SHBA-të ja kanë bërë Mianamarit, për shkak të kampanjës kundër myslimanëve në këtë vend.

Vendimi do të jetë një presion shtesë për qeverinë e Mianamarit, që tashmë veç përballet me akuza për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Grupe të të Drejtave të Njeriut kanë qenë duke kërkuar prej kohësh, edhe sa ishte Donald Trump president, që të ndërmerret një hap i tillë nga SHBA-të.

Me të dalë lajmi për vendimin e administratës amerikane, ka reaguar edhe senatori demokrat, Jeff Merkley, duke përshëndetur hapin e marrë nga Biden.

“Administrata më në fund po njeh krimin e kryer ndaj Rohingya-s si gjenocid”, ka deklaruar ai në një deklaratë për media, menjëherë pas u bë i ditur vendimi në kanale jo zyrtare.

“Ky vendim është vonuar tejmase, megjithatë përbën një hap të fuqishëm dhe kritik për ta mbajtur përgjegjës regjimin brutal”.

Edhe grupi humanitar Refugjatët Ndërkombëtarë ka lëvduar lëvizjen.

“Deklarimi i SHBA-ve se është gjenocid, është i mirëseardhur dhe jashtëzakonisht hap domethënës”, kanë thënë grupi përmes një deklarate të shkruar për media.

“Është gjithashtu një shenjë e rëndësishme që tregon përkushtimin për të gjithë personat që vazhdojnë të ballafaqohen me abuzim nga junta ushtarake”.

Më shumë se 700 mijë myslimanë në Mianamar kanë ikur nga shumica budiste dhe janë zhvendosur si refugjatë në Bangladesh që nga gushti i vitit 2017 kur filloi fushata për spastrim.

Forcat e sigurisë në Mianamar janë akuzuar për dhunime në masë, vrasje dhe shkatërrim të shumë vendbanimeve të myslimanëve atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore