Lajme

Me aplikimin për anëtarësim, Kosova ka testuar kredibilitetin politik të BE-së në Ballkan


Foto nga Albanian Post

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë të enjte kryeministri Albin Kurti dorëzoi kërkesën te presidenca çeke.

Serbia në anën tjetër ka filluar fushatën lobuese te pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta shpërfillin këtë kërkesë.

Kurse Bashkimi Evropian brenda propozimit franko-gjerman premton edhe proces integrues për Kosovën të ndarë në tri faza.

Nëse veç nuk trajtohet seriozisht kërkesa e Kosovës për anëtarësim, a nënkupton kjo se BE nuk e ka seriozisht as me vetë planin?

Jo krejtësisht, thotë ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj në një koment për Albanian Post, edhe pse e pranon se jo rrallë “proceset politike përshpejtojnë apo ngadalësojnë proceset teknike formale në BE”.

Por, “nëse aplikimi i Kosovës shpërfillet nga BE, kjo nënkupton para së gjithash se Kosova ka bërë aplikimin pa koordinim dhe krye në veti”, thotë Haradinaj.

Koordinimi paraprak do të duhej të ishte brenda paktës së përgjithshme të aplikimit, sepse kështu “shtohet presioni politik sidomos mbi shtetet mosnjohëse”.

“Koordinimi vlen edhe për të kapitalizuar vëmendjen e shtuar evropiane rreth dialogut me Serbinë”.

Madje për Haradinajn, vetë akti i aplikimit, do të duhej të ishte një mesazh që Kosova është në sinkron të plotë me SHBA dhe BE-në “përfshi shtetet mosnjohëse”.

“Për më tepër, edhe shtetet mosnjohëse gjithmonë kanë pranuar bashkëpunimin me Kosovën përmes agjendës evropiane dhe kanë kushtëzuar këtë bashkëpunim me rezultatet në dialog, andaj kjo do të duhej të jetë derë mundësie që diplomacia kosovare të jetë proaktive dhe të shfrytëzojë intensitetin e zhvillimeve në dialogun me Serbinë që të shtyjë përpara interesat afatgjata të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, nuk kemi parë një proaktivitet që do t’i paraprinte këtij aplikimi këtë javë”, deklaron Haradinaj për Albanian Post.

Meliza Haradinaj

Ish-kryediplomatja është e bindur se BE nuk mund ta refuzojë e as të mos e marrë seriozisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim “sepse kështu organizata politike si tërësi do të bie ndesh me gjithë nismat e narrativen përkrahëse e inkurajuese për avancimin e rrugës eurointegruese të shteteve të Ballkanit Perëndimor që ka pasur kohëve të fundit”.

“Për më shumë, nëse vazhdon mosuniteti evropian karshi Kosovës, BE do të thellojë edhe më tepër krizën e kredibilitetit politik në Ballkan, dhe humbjen e autoritetit si lehtësues i dialogut mes Kosovës e Serbisë”.

Fakti se aktualisht në dialog ekziston mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një propozim konkret e ndihmon situatën po ashtu.

Siç shpjegon Haradinaj, “shumë shpesh proceset politike përshpejtojnë apo ngadalësojnë proceset teknike formale në BE, dhe pikërisht në këtë mundësi po duket se po llogaritë Qeveria e Kosovës”.

“Pra që të lehtësojë disa procedura teknike burokratike në BE përmes kushtëzimeve ndaj procesit të dialogut”.

Albanian Post ka raportuar të martën mbështetur në burime diplomatike se në Bashkimin Evropian e kuptojnë se cfarë do të thoshte për procesin dialogues dhe propozimin e fundi, nëse BE tregohet mospërfillëse me kërkesën e Kosovës.

“Ministrat e vendeve anëtare e dinë shumë mirë që procesi aktual në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht propozimi evropian që u është prezantuar palëve, ka implikime shumë më të gjëra gjeo-politike përtej rajonit të Ballkanit”, thonë burimet diplomatike të AP-së.

Në këtë kontekst, “është shumë me rëndësi që të demonstrohet që Beogradi nuk është faktor në hartimin e politikës në Madrid, Athinë apo ndonjë kryeqendër tjetër siç pretendon ministri i jashtëm serb Daçiç”.

Pranimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim është siguresa e planit franko-gjerman (evropian) – në BE e kanë të qartë

Sipas po të njëjtit burim të AP-së, “ne (BE-ja) nuk mund të kërkojmë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian nëse vetë Bashkimi Evropian nuk ka një politikë të harmonizuar ndaj Ballkanit Perëndimor”.

“Kjo çështje është fondamentale, jo vetëm për kredibilitetin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe për tërë angazhimin tonë në Ukrainë dhe rreth Ukrainës”, thotë burimi i AP-së i afërt me procesin integrues të Kosovës dhe dialogut në Bruksel.

Prandaj, sipas burimit të AP, që është brenda procesit të konsultimeve të përgjithshme me rëndësi për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, “pavarësisht faktit që Kosova e ka të pamundur (në afatshkurtër) anëtarësimin në BE, kërkesa e Kosovës duhet të trajtohet me respekt dhe me kujdes ndaj detajeve”.

Burimet thonë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE e teston esencën e propozimit evropian, që është hartuar pas angazhimit dinamik të Gjermanisë dhe Francës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA.

Thënë këto, edhe Abit Hoxha, njohës i zhvillimeve politike dhe ligjërues në Universitetin Adger, e ka shqetësimin e diplomacisë anemike të Kosovës, sidomos në raport me vendet mosnjohes.

Abit Hoxha

Përtej momentit, Kosova do të duhej të shtynete procesin edhe vetë me diplomaci vepruese brenda BE-së.

“Kosova do të duhej të ndërmerr disa hapa tjerë para se këtij aplikimi t’i vinte koha”, thotë ai për Albanian Post.

“Ndër to janë edhe të punohet në njohjen e pesë anëtarëve të BE, të punohet në anëtarësimin në NATO, të punohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe institucione tjera ndërkombëtare. Këto veprime edhe pse nuk janë kushte formale për anëtarësim në BE, janë shumë të rëndësishme për tu trajtuar ky aplikacion me seriozitet më të madh. Përndryshe, është vetëm një aplikacion në Facebook sikurse ai për në NATO”.

Gjithsesi, aplikimi ka ndodhur.

Por, akti i dorëzimit zyrtar të aplikimit për shtet kandidat të BE-së nuk nënkupton se negociatat formale për hapjen dhe mbylljen kapitujve fillojnë menjëherë, sepse nevojitet pëlqim unanim me votim nga shtetet anëtare në Këshillin e BE-së.

Dhe, siç deklaron ish-ministrja Haradinaj, “duke e ditur bllokadën që Kosova e ka me 5shen mosnjohëse, pasivitetin e diplomacisë kosovare me këto shtete, dhe mungesën e kapaciteteve teknike me shuarjen e Ministrisë së Integrimit Evropian, vështirë se do të mund të fillojnë negociatat shpejtë sipas procedurës formale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore