Lajme

Mbyllja e kufirit SHBA-Kanada bllokoi tregtinë, reagojnë qeveritë


Mbyllja e një rruge jetike tregtare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara nga kamionistët, që protestojnë ndaj detyrimit të vaksinimit, po rrëzon operacionet e prodhuesve të makinave dhe po rrit presionin ndaj autoriteteve në të dy vendet për të shuar demonstratat.

“Mesazhi im është i thjeshtë: rihap trafikun në urë”, në një deklaratë të enjten guvernatori i Michigan-it, Gretchen Whitmer, duke u bërë thirrje zyrtarëve kanadezë që të “marrin të gjithë hapat e nevojshëm dhe të duhur për të rihapur menjëherë dhe në mënyrë të sigurt trafikun”.

Protestat nga kamionistët, që kundërshtojnë detyrimin e vaksinave, filluan si një “Konvoj i Lirisë” që pushtoi qendrën e Otavës, kryeqytetin e Kanadasë, dhe janë zgjeruar në vende të tjera mes ankesave për taksat e karbonit dhe legjislacionin tjetër.

Një kalim i dytë i madh kufitar SHBA-Kanada në Manitoba të enjten u bllokua nga një protestë kundër mandatit të vaksinës.

Protesta të ngjashme kanë shpërthyer në Australi, Zelandën e Re dhe Francë.

Protestat kanë shkaktuar bllokim në kryeqytetin kanadez që nga fundi i janarit.

Mbrëmjen e së hënës, kamionistët kanadezë mbyllën trafikun hyrës në Urën e Ambasadorit përgjatë lumit Detroit, një rrugë kryesore furnizimi për prodhuesit e makinave dhe produkteve bujqësore.

“Kjo ndërprerje në urën Detroit-Windsor dëmton klientët, punëtorët e automjeteve, furnitorët, komunitetet dhe kompanitë në të dy anët e kufirit”, tha Ford në një deklaratë.

“Shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet shpejt sepse mund të ketë ndikim të gjerë në të gjithë prodhuesit e automjeteve në SHBA dhe Kanada”.

Më shumë se dy të tretat e 650 miliardë dollarëve kanadezë (511 miliardë dollarë) mallra që tregtohen çdo vit midis Kanadasë dhe SHBA-ve transportohen me rrugë tokësore. Ford, Toyota dhe General Motors kanë mbyllur fabrikat ose ndryshe kanë shkurtuar prodhimin në të dy anët e kufirit.

Ministrat federalë kanadezë e kanë quajtur të paligjshme bllokadën dhe u kanë kërkuar protestuesve të kthehen në shtëpi.

“Megjithëse Ura e Ambasadorit nuk është e mbyllur për në SHBA, prania e demonstruesve po e bën të vështirë hyrjen në urë”, tha policia lokale të enjten, duke u kërkuar shoferëve të shmangin pikat e hyrjes në urë.

Autoritetet e SHBA-ve, ndërkohë, u përgatitën për mundësinë e protestave të ngjashme.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), në një buletin për agjencitë lokale dhe shtetërore të zbatimit të ligjit, tha se kishte marrë raporte për kamionistët se po planifikonin “të bllokonin potencialisht rrugët në qytetet kryesore metropolitane” në një protestë kundër mandateve të vaksinave.

DHS tha se një kolonë mund të fillojë në Kaliforninë Jugore që në fillim të kësaj fundjave, duke penguar ndoshta trafikun rreth ndeshjes së kampionatit të NFL të Super Bowl dhe të arrijë në Washington, DC, në kohë për fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden.

Policia në Otavë po premtonte veprime më të rrepta të enjten për t’u dhënë fund protestave që pushtuan një rrugë kryesore në qendër të qytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare, shtëpia e parlamentit dhe rezidenca e kryeministrit, Justin Trudeau.

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore