Shqipëria

Mbyllet i gjithë procesi zgjedhor – PS me 53 bashki, BF 7 dhe MEGA 1


Është mbyllur krejtësisht procesi zgjedhor për kandidatët në 61 bashki të Shqipërisë, ku janë shpallur përfundimisht edhe fituesit në të gjithë vendin.

Lajmin e ka bërë të ditur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përmes një konference për shtyp.

Në ndarjen tërësore, janë 53 bashki, të cilat kanë shkuar për Partinë Socialsite, duke konfirmuar kështu një fitore bindëse në rang kombëtar.

Nga ana tjetër, koalicioni Bashkë Fitojmë ka arritur të marrë vetëm shtatë mandate dhe një, i ka shkuar partisë së minoritetit etnik grek MEGA.

Pjesëmarrja tërësore në gjithë territorin, ka qenë prek 38.22%, ose përkthyer në 1 milion e 395 mijë e 360 qytetarë.

Si është ndarja?

Në Tiranë, kryebashkiaku aktual, njëkohësisht kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj u mandatua për të tretën herë si administratori i kryeqytetit pas publikimit të rezultateve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ai regjistroi pas hapjes së 941 kutive, 158 mijë e 688 vota ose 54.69 për qind kundrejt kandidatit kryesor opozitar nga radhët e Bashkë Fitojmë Belind Këlliçi, i cili mori vetëm 100 mijë e 351 vota ose 34.58 për qind.

Kandidatët e tjerë kanë regjistruar respektivisht: Arlind Qori – 13 mijë e 835 vota, Roland Bejko – 12 mijë e 388 vota, Marko Dajti – 2 mijë e 807 vota, Lajla Përnaska – 2 mijë e 104 vota.

Në Kukës u konfirmua në detyrë kandidati socialist Safet Gjici me 11 mijë e 623 vota ose 49.70 për qind kundrejt kandidatit të Bashkë Fitojmë Admir Sinamati i cili regjistroi 9 mijë e 587 vota ose 40.99 për qind.

Gjatë mesnatës së 16 majit është zyrtarizuar fitorja e Partisë Socialistë në Kurbin me kandidaten Majlinda Cara.

Kjo e fundit mori 11 mijë e 381 vota ose 51.22 për qind ndërsa kundërshtari i saj nga radhët e Bashkë Fitojmë Behar Haxhiu regjistroi vetëm 10 mijë e 840 vota ose 48.78 për qind.

Sakaq, fitorja e Bashkë Fitojmë në Kavajë e Fisnik Qosjas u zyrtarizua edhe nga KQZ-ja.

Kandidati i koalicionit opozitar mori 11 mijë e 761 vota ose 51.89 për qind ndërsa kandidati socialist Redjan Krali regjistroi vetëm 10 mijë e 903 vota ose 48.11 për qind.

Në Vlorë janë shpallur socialistët, me kandidatin Ermal Dredha, me 70.55% to votave, karshi rivalit të Bashkë Fitojmë, Hysni Sharra, me 22.45%.

Në Korçë, është konfirmuar në detyrë Sotiraq Filo me 60.63% përballë rivales opozitare, Ledina Alolli, me 39.37%.

Bashkia Berat i takon sërish socialistëve, me Ervin Demon fitues me 61.47% të votave përballë 38.53% të rivalit nga Bashkë Fitojmë, Ziat Ismaili.

Në Lushnjë sërish konfirmohet në detyrë Eriselda Sefa e socialistëve, me 62.64%, kundrejt opozitarit Eduart Sharkës me 37.36%.

Në Maliq, socialistët kanë fituar me Gëzim Topçiun, i cili ka marrë 66.38% të votave. Kandidati i Bashkë Fitojmë, Alfred Gega, ka marrë vetëm 33.62%.

Në Sarandën me katër kandidatë, socialistët kanë dalë të epërm me 52.46% të votave që i ka marrë Oltion Çaçi. Nga Bashkë Fitojmë, me 33.28% të votave është radhitur Ardit Çikuli. Gjergji Mërkuli, kandidat i pavarur, ka marrë 9.82% të votave dhe ai i Partisë Demokratike, Skënder Muça, vetëm 4.44%.

Në Kuçovë socialitët kanë fituar me 49.79% të votave, me kandidatin Kreshnik Hajdari. Lefter Maliqi i koalicionit Bashkë Fitojmë, ka arritur të marrë vetëm 44.88% të votave dhe 5.33% i ka marrë kandidati i PD-së, Ilirjan Koxhaj.

Në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli i PS-së mori 55.77% të votave, ndërsa rivali Zef Hila i Bashkë Fitojmë ka marrë 38.28%. Kandidatja e PD-së, Klomentina Drini, ka marrë vetëm 5.95% të votave.

Në Cërrik socialistët kanë marrë 71.20% të votave me kandidatin Andis Salla. Ndërsa Servet Tuzha, i Bashkë Fitojmë, 28.80%.

Në Patos, sërish socialistët kanë fituar me 69.97% të votave të marra nga Fation Duro dhe Sofia Alushaj e Bashkë Fitojmë e ndalur në 23.50% to votave. Teksa, Pranvera Rizai e PD-së, ka marrë 6.53%.

Në Devoll, Eduart Duro i PS-së ka marrë 51.15% të votave, ndërsa Elvis Hajdërlli i Bashkë Fitojmë, 48.36%. Kandidati i pavarur, Çlirim Hoxhaj, 0.49%.

Librazhdi i takon të majtëve me 74.45% të votave marrë nga Maringlen Disha, teksa Shefki Çota i Bashkë Fitojmë ka marrë 25.55%.

Në Rrogozhinë gara ka qenë shumë e ngushtë, me vetëm 23 vota diferencë, ku garën e ka fituar Edison Memolla, përballë Shkëlqim Hoxha.

Dimali përsëri i takon të majtëve, me 50.85% të marra nga Juliana Memaj. Votat e opozitës ndahen në 36.15% për Dritan Sulën e PD-së dhe Gentian Meçi i BF 12.99%.

Finiqi i takon partisë së minoritetit grek MEGA, e cila ka marrë 38.60% me kandidatin Romeo Çakuli, përballë 32.22% të kandidatit Leonidha Hristo i BF dhe me 29.18%, Leonidha Papa i PD-së.

Peqini i takon të majtëve me Bukurosh Maçin, i cili ka marrë 57.78% të votave, përballë Mustafa Pashjas me 42.22%.

Në Bulqizë, të majtët fitojnë sërish me Festime Mjeshtrin, e cila ka marrë 60.27% të votave dhe rivali i BF, Dëfrim Fiku, ka marrë 39.73%.

Mirdita është nga të paktat bashki që i takon opozitës, me Albert Mëlyshin e Bashkë Fitojmë, i cili ka marrë 55.19% të votave. Ndrec Dedaj i PS-së, është ndalur në 44.81%.

Në Selenicë, Nertil Bellaj i PS-së ka marrë 59.01% të votave, përballë Leonard Rakipajt të BF me 40.99% të votave.

Gramshin e marrin socialistët me Besion Ajazin, i cili rroku 52.67% të votave përballë Hasim Çekrezit, me 47.33%.

Belshin socialistët e kanë marrë në frymën e fundit, me Arif Tafanin që siguroi 50.23% të votave dhe rivalin e BF, Bedri Qypi, me 49.77%.

Majlinda Bufi rikonfirmohet në Roskovec nga radhët e socialistëve me 52.52%, përballë Erdit Hazizaj të BF-së me 47.48%.

Himara ka qenë një bashki, e cila ka shkuar në votën e fundit, ku kandidati (i burgosur tashmë) nga radhët e opozitës, Fredi Beleri, ka marrë 50.12% të votave, përballë Jorgo Goros nga PS me 49.88%.

Prrenjasi është socialist sërish, me kandidatin Nuri Belba, i cili ka marrë 62.50% të votave përballë rivales së BF-së, Suzana Topi, me 37.50% të votave.

Tropoja, si rrallëherë, i ka shkuar socialistëve, me Rexhë Byberin, i cili ka marrë 51.25% të votave dhe rivali i Bashkë Fitojmë, Besnik Dushaj, me 48.75%.

Dropulli minoritar i ka shkuar socialistëve, me Dhimitraq Tolin, i cili ka marrë 81.25% të votave, përballë Thanas Maneka të BF-së, me 14.87% dhe Kosta Garos nga Nisma Thurje, me 3.88%.

Hasi i takon opozitës këto zgjedhje, ku kandidati i Bashkë Fitojmë, MIftar Dauti, ka marrë 55.89% të votave, ndërsa Beqir Mulaj i PS, 44.11%.

Në Përmet, socialistët vijojnë punën me Alma Hoxhën, e cila ka marrë 76.78% dhe rivali i BF-së, Edmond Komino, me 23.22%.

Memaliaj ndërron kah këto zgjedhje, ku Albert Malaj i BF-së ka marrë 52.75% dhe Gjolek Guci i socialistëve, 47.25%.

Në Klos, PS-ja merr mandatin me Valbona Kolën, e cila mori 56.07% të votave dhe rivali Bedri Hoxha, i BF, 43.93%.

Në Kolonjë Erion Isai vijon punën për socialistët, pasi ka marrë 64.28% të votave dhe rivali opozitar Et’hem Lumani, 35.72%.

Me epërsi socialistët marrin edhe Delvinën, ku Besmir Veli ka marrë 62.75% të votave, karshi Ilir Mehmetit, i cili ka siguruar vetë, 37.25%.

Skrapari, një bastion i Ilir Metës, është marrë në fakt nga socialistët, ku Adriatik Mema, ka fituar 55.84% të votave, në krahasim me Euglen Mustafallari, i cili është ndalur në 44.16%.

Poliçanin e marrin me 78.87% socialistët, me Ardiatik Zotkaj. Ndërsa Florian Qama i PD-së, ka marrë 14.44% dhe Behar Xhaferaj i BF, 9.68%.

Tërmet Peçi ka korrur fitoren më të thellë në gjithë vendin, pasi ka arritur të marrë 82.67% të votave për PS-në, ndërsa Baftjar Imeri i BF-së, vetëm 10.33% dhe Sokol Guga i PD-së, 7%.

Puka është kthyer në të djathtë sërish këto zgjedhje, pasi Rrok Dodaj ka fituar 58.13%. Socialisti Gjon Gjonaj është ndalur në 41.87%.

Bashkia më jugore, ajo e Konispolit, ka nxjerrë fitues socialistin Ergest Dule, me 54.67%. Fatmir Shero i BF-së, ka marrë 45.33%.

Socialistët e fitojnë edhe Këlcyrën, me kandidatin Klement Ndoni, i cili ka marrë 49.33%. Arian Kasaj i BF-së u ndal në 47.32% dhe Adriatik Spahiu i PD-së, në 3.35%.

Fushë-Arrëzi është një tjetër bashki e marrë nga opozita, me kandidatin e BF-së, Hil Curri, me 58.99% të votave, përballë Fran Tucit me 41.01%.

Libohova është socialiste me kandidatin Leonad Hida që mori 52.64%, përballë rivalit Adil Xhelili, me 47.36%.

Pusteci i takon socialistëve, me kandidati Pali Kolefski, i cili ka marrë 64.95% të votave dhe rivali i BF-së, Pandi Jani, ka marrë 35.05%.

Në Kamëz, socialistët kanë korrur një fitore të madhe, me Rakip Sulin, i cili ka marrë 60.35% të votave. Arjan Hoxha i BF-së ka marrë 35.33% dhe Bilbib Bajraktari i PD-së, 4.32%.

Elbasani i takon Gledjan Llatjës së PS-së sërish, i cili ka marrë 56.23% të votave, përballë Luçiano Boçit, me 43.77%.

Vora është sërish socialiste, me kandidatin Blerim Shera, i cili ka marrë 73.52%, përballë Indrit Hoxhës së BF-së, me 26.48%.

Në Shkodër, Benet Beci ka korrur një fitore historike për PS-në duke marrë 60.22 për qind të votave, karshi kandidatit demokrat Bardh Sphia me 39.78 për qind.

Sakaq, Pjerin Ndreu rikonfirmohet në detyrë në Lezhë për socialistët me 52.75 për qind të votave kundrejt Pashk Gjonit të koalicionit Bashkë Fitojmë me 47.25 për qind.

Në Dibër, gara me tre rivalë ka parë fitues Rahim Spahiun e PS-së me 67.69 për qind të votave. Ismail Ukaj i Bashkë Fitojmë 27.11 për qind dhe Naim Gazidede i PD-së 5.21 për qind.

Sakaq, në Divjakë kandidati i PS-së Josif Gorrea,ka marrë 9 mijë e 309 vota, ndryshe 57.37 për qind.

Ndërkohë, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Aurel Malko, ka marrë 6 mijë e 916 vota ose 42.63 për qind.

Në Pogradec ka kryesuar Partia Socialiste, si në shumicën e bashkive të vendit. Kandidati socialist Ilir Xhakolli ka arritur të sigurojë 67.56 për qind të votave.

Ndërkohë, Zini Tollozhina i koalicionit Bashkë Fitojmë ka marrë vetëm 30.61 për qind të votave dhe Rezart Laraku nga Lëvizja e Re ka marrë vetëm 1.84 për qind të tyre.

Në Durrës, fituese është shpallur Emiriana Sako e Partisë Socialiste, kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës, e cila kishte përballë Igli Carën e koalicionit Bashkë Fitojmë.

Sako ka siguruar fitore të thellë me 9 mijë e 721 vota diferencë, ndryshe me 55.54 për qind të votave.

Kurse kandidati kundërshtar ka arritur të marrë vetëm 44.46 për qind të tyre.

Fieri tregon fitoren e padiskutueshme socialiste, me 69.33% të votave të marra nga Armando Subashi. Kandidati i Bashkë Fitojmë, Edvar Kodheli, ka marrë 19.80%, teksa ajo e Partisë Demokratike, Eriselda Çelaj, 10.87%.

Flamur Golemi është shpallur fitues në Gjirokastër, duke marrë një tjetër mandate, me 70.52% të votave, kundrejt Dorjan Lanit të BF-së, me 29.48%.

Në Mallakastër ka qenë një garë shumë e ngushtë mes palëve, ku opozitën e penalizon ndarja në dy fronte.

Ndaj, me 48.23% të votave, ka fituar kandidati socialist Qerim Ismailaj. Ndërsa, Agron Kapllanaj i PD-së ka marrë 45.93% dhe Resmi Shanaj i Bashkë Fitojmë, 5.83%.

Bashkia Mat i ka takuar po ashtu socialistëve, me Agron Malajn që ka marrë 65.91% të votave kundrejt Skënder Gjucit të BF-së, me 34.09%.

Në Krujë mandatin e ka marrë socialisti Artur Bushi, me 65.88% të votave, karshi Agron Lokës së Bashkë Fitojmë me 34.12%.

Në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj i PS-së u konfirmua për një mandat të tretë me 56.93% të votave, kundrejt Isa Ramajt me 43.07%.

Në fund, në Shijak, fitore të pastër ka korrur Elton Arbana i PS-së, me 66.24%, kundrejt Rezeart Tushës së Bashkë Fitojmë me 33.76%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore